Acar në Siri, moti i keq vështirëson jetën e refugjatëve në çadra

Azia

Acar në Siri, moti i keq vështirëson jetën e refugjatëve në çadra

Më: 26 dhjetor 2016 Në ora: 20:45
Acar në Siri

Mjerimit të sirianëve të shpërngulur prej konfliktit i shtohet dhe moti i acartë. Një stuhi e fuqishme bore ka dëmtuar disa prej tendave të holla të kampit të Latakiasë, të kthyer në strehën e vetme për të zhvendosurit nga qyteti veri-perëndimor i Jisr al-Shugour-it.

Bora, ajo që në kushte të tjera do të kishte qenë një ngazëllim, sidomos për fëmijët, tani për këta njerëz është armiku i radhës. 

“Nuk ka gjë më të bukur se bora, por jeta këtu është tmerrësisht e vështirë. Nuk ka dru për zjarr, para nuk kemi. Kjo është një nga ato situata kur vetëm Zoti mund të të ndihmojë. Është shumë e trishtuar”, thotë një emigrant sirian. 

Por të ftohtin e skajshëm nuk po e vuajnë vetëm refugjatët në Siri. Pak ditë më parë, “The Guardian” shkruante se UNHCR-ja dhe Departamenti i Ndihmës i BE-së janë akuzuar nga grupe të tjera humanitare për keqmenaxhimin e miliona eurove të siguruar për ata që janë sot emigrantët më të cënueshëm në Europë, duke lënë me mijëra të tillë në Greqi të flenë në kushte ngrice. 

Kritikat nuk kanë munguar as për qeverinë greke, e cila ka dhe juridiksionin e fundit mbi aktivitetin e kampeve në fjalë. 

Një pjesë e fondeve ishin mbledhur që në muajin prill për të përgatitur rreth 50 kampe refugjatësh për mberritjen e dimrit në Greqi, ku kanë mbetur të bllokuar rreth 50.000 sirianë. Megjithatë, shumë prej tyre nuk ishin gati me mbërritjen e të ftohtit të madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat