Banorët e Aleppos: Do të kthehemi, përsëri!

Azia

Banorët e Aleppos: Do të kthehemi, përsëri!

Më: 17 dhjetor 2016 Në ora: 18:57
Aleppo, Siri

Nga lindja e Aleppos ku u evakuuan mijëra civilë që ishin nën rrethim e regjimit të Bashar al-Assadit dhe grupeve të huaja mbështetëse të regjimit sirian, mbetën mbishkrimet “do të kthehemi” – në muret e ndërtesave të këtij vendi.

Në kuadër të procesit të armëpushimit të arritur pas bisedimeve intensive mes Turqisë dhe Rusisë, filloi edhe procesi i evakuimit. Gjatë orëve të fundit me anë të pesë autokolonave të evakuimit, 7.500 civilë dhe luftëtarë opozitarë, u transferuan në qytetin Idlib në afërsi me kufirin e Turqisë.

Gazetarët e AA-së siguruan pamje nga muret e shtëpive ku qëndrojnë mbishkrimet “Asadi do të shkojë. Ne pas një kohë të shkurtër do të kthehemi”, “Aleppo të duam”, “Aleppo është i lirë”, “Ne nuk dalim me dëshirë, por me forcë”.

Një ndër civilët i cili erdhi në Idlib, Ebu Hamza, në një deklaratë për AA tha se “Ishim nën rrethim. Na larguan me forcë. E bombarduan Aleppon me aeroplanë luftarakë. Nuk kishte ushqim. Nuk kishte as pije. Regjimi çdo ditë na sulmonte me mortaja. I humbëm familjet, edhe fëmijët. Me lejen e Allahut do të kthehemi.”

Nga ana tjetër, Um Shefik, e cila kishte ardhur nga lagja Sukkeri, tha se “bashkëshorti im kishte nevojë për trajtim mjekësor. Ai kishte nevojë që të largohej. Shtëpia jonë ishte duke u bombarduar çdo ditë. Si mund të qëndroja në këtë shtëpi?”

Ndërsa, aktivisti Ebu Velid Halebi, tha se përsëri do të kthehen në Aleppo.

“Tashmë do të drejtohemi kah pjesa rurale veriore e Halep-it dhe shpresojmë që përsëri do ta çlirojmë Aleppon. I falënderojmë të gjithë ata të cilët siguruan daljen e të sëmurëve dhe plagosurve nga qyteti i rrethuar. Gjithashtu falënderojmë edhe qeverinë e Turqisë dhe Presidentit Recep Tayyip Erdo?an”, u shpreh ai.

Nga 4 shtatori kur Aleppo u rrethua nga ana e regjimit dhe mbështetësve të tij e deri kur filluan evakuimet humbën jetën 1138 civilë. Pasi që filluan evakuimet, grupet terroriste të huaja mbështetëse të regjimit sirian, hapën zjarr ndaj autokolonës ku gjendeshin civilët duke shkaktuar disa të vdekur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat