Qeveria e Sirisë ka hedhur poshtë një propozim të OKB-së që t’i japë rajoneve të kontrolluara nga rebelët në Aleppo një autonomi me qëllim të vendosjes së qetësisë në qytetin verior.
Institucionet e shtetit “duhet të rivendosen” në Aleppo kur rebelët të dëbohen, tha ministri i jashtëm Walid al Muallem pas bisedimeve me të dërguarin e posaçëm të OKB-së në Siri, Staffan de Mistura, në Damask më 20 nëntor.
Ai tha se Siria nuk pranon që t’ua lë 275 mijë qytetarë në Aleppon lindore “si pengje të 6 mijë personave të armatosur”.
Ndërkohë, zyrtarja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Elizabeth Hoff, tha se pesë ditë të fushatës ajrore dhe bombardimeve nga artileria nga forcat qeveritare kanë vënë jashtë shërbimit objektet mjekësore në rajonet e Aleppos që kontollohen nga rebelët.
Aktivistët sirianë thanë se më shumë se 100 civilë janë vrarë në Aleppon lindore që kur filloi sulmi i fundit i forcave qeveritare.
Shtatë fëmijë janë njoftuar të jenë vrarë më 20 nëntor nga të shtënat me raketë nga rebelët në pjesën e kontrolluar nga qeveria në Aleppo.
Qyteti është ndarë më dysh që nga viti 2012, me forcat qeveritare që kontrollojnë perëndimimin dhe rebelët në lindje.