Gjashtë fëmijë u vranë e me dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur në një shkollë në Siri ditën e diel, pasi kjo e fundit u bombardua nga forcat besnike të regjimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Harasta. Fëmijët po luanin gjatë kohës së pushimit, kur forcat qeveritare shkaktuan masakrën.
Fotografitë e postuara nga mediat ndërkombëtare, që për shumë mund të jenë të rënda për t’u parë, tregojnë fëmijë të vegjël të mbuluar në gjak.
Një djalë i vogël vuan në heshtje teksa mjeku i kontrollon zemrën, ndërsa në një tjetër foto një vajzë sheh e shpërqëndruar drejt aparatit fotografik pasi ka marrë plagë të rënda në trup.
Lodrat me të cilat fëmijët po luanin mund të shihen në dyshemenë e mbuluar nga gjaku, duke pasqyruar një realitet të tmerrshëm të asaj që ndodh në Siri.