Jerusalem: U varros ish-lideri Shimon Peres

Azia

Jerusalem: U varros ish-lideri Shimon Peres

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 11:17
Presidenti Barack Obama duke folur në varrimin e Shimon Peresit

(E plotësuar) - Ish-lideri izraelit, Shimon Peres, njëherësh fitues i çmimit Nobel për Paqe, është varrosur sot në Jerusalem, në ceremoninë ku morën pjesë dhjetëra liderë botërorë.

Presidenti amerikan, Barack Obama, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, president i Francës, Francois Hollande, e të tjerë, ishin në mesin e zyrtarëve të lartë, që morën pjesë në ceremoninë në varrezat, Mount Herzl, në Jerusalem.

Duke folur në në këtë ceremoninë, presidenti Obama tha se Shimon Peres ka treguar se drejtësia dhe shpresa janë në zemër të idealit të shtetit izraelit.

Mëtutje, presidenti Obama, theksoi:

“Shimon Peres na përkujton neve se shteti i Izraelit, sikur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ishte ndërtuar nga cinikët. Ato ekzistojnë pasi njerëzit para nesh refuzuan të jenë të kufizuar nga e kaluara ose nga vështirësitë e së tashmes. Shimon Peresi kurrë nuk ishte cinik. Është ky religjion, është ky optimizëm, është ky besim – bile edhe kur të gjitha dëshmitë ishin kundërshtuese – se nesër do të jetë më mirë, pra kjo është ajo që ne na bën jo vetëm ta nderojmë Shimon Peresin, por edhe ta duam atë”, tha Barack Obama.

Presidenti amerikan theksoi se Peresi gjithnjë ishte përpjekur për një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez, që të dy palët i trajton në mënyrë të barabartë.

Ish-president dhe ish-kryeministër i Izraelit, Shimon Peres ka vdekur para dy ditësh, në moshën 93 vjeçare.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se pjesëmarrja e liderëve botërorë paraqet testament për optimizmin e Peresit, synimin për paqe dhe dashurinë për Izraelin.

Liderë botërorë të pranishëm në funeralin e Peresit

Udhëheqës nga e gjithë bota ishin sot në Jerusalem për funeralin e ish-presidentit izraelit, Shimon Peres.

Arkivoli i Peresit mbërriti në varreza nga parlamenti, ndërkohë që njerëzit filluan të zinin vendet e tyre në varrezat kombëtare të qytetit para se të fillonte ceremonia dhe fjalimi i përmortshëm.

Këngë hebreje vajtimi dhe lutje u kënduan ndërkohë që roja nderi vendosën arkivolin në makinë.

“Rreth 3 000 vetë morën pjesë në varrim”, thanë anëtarët e familjes.

Presidenti amerikan, Barack Obama mbërriti sot herët në mëngjes me ”Air Force One” në aeroportin ndërkombëtar në Tel Aviv për të marrë pjesë në funeralin e ish-presidentit dhe nobelistit, Peres.

Image

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas dhe një delegacion i Autoritetit Palestinez erdhën nga Ramallahu pas marrjes së lejes nga autoritetet izraelite.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, i cili kryesoi administratën gjatë përpjekjeve për të vendosur paqen në Lindjen e Mesme gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, ishte i pranishëm.

Udhëheqës të tjerë pritet të marrin pjesë në funeral, duke përfshirë presidentin gjerman, Joachim Gauck, presidenti francez, Francois Hollande dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Ministria e Jashtme izraelite tha se 20 presidentë dhe 15 ministra të Jashtëm janë në ceremoni.

Peres vdiq të mërkurën, në moshën 93-vjeçare.

Arkivoli i Peresit u vendos dje para ndërtesës së parlamentit për një ceremoni shtetërore, që filloi me vendosjen e kurorave të kryeministrit izraelit,  Benjamin Netanyahu dhe presidentit, Reuven Rivlin,para se të lejohej publiku që t’i jepnin lamtumirën.

Dhjetëra mijëra njerëz ndenjën  në radhë për t’i dhënë lamtumirën ish-presidentit, Peres.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat