Shefi i Bugattit nuk e di cila është shpejtësia më e madhe e Chiron

Auto

Shefi i Bugattit nuk e di cila është shpejtësia më e madhe e Chiron

Më: 2 prill 2018 Në ora: 17:19
Bugatti

Me 320 njësi të shitura nga 500 sa ishin planifikuar për më pak se dy vjet, Bugatti Chiron tashmë përfaqëson një sukses të madh për prodhuesin e tij dhe nëse vazhdon me këtë dinamikë, pritet që automobili i fundit të ketë pronarin e tij në vitin e ardhshëm.

Vetura është e njohur për nga shpejtësia e madhe, pasi posedon motor 8.0 litra W16 me katër turbo-mbushës, që prodhojnë 1.500 kuaj fuqi, derisa nga 0 deri 100 km/h arrin për 2,5 sekonda. Deri te shpejtësia 200 km në orë nevojiten 6,5 sekonda, ndërsa deri në 300 km/h, Chiron arrin për 13,6 sekonda.

Për këtë arsye është paralajmëruar edhe testimi zyrtar i shpejtësisë maksimale që mund të arrijë automobili, por kjo është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Këtë për CNBC e ka konfirmuar edhe njeriu i parë i Bugatti, Stefan Vinkelman.

"Aktualisht kemi mjaft punë dhe testi i shpejtësisë së Chiron nuk është prioritet imi. Ka mjaft të tjera që duhet bërë. Unë, madje, nuk e di se sa shpejt ajo veturë mund të shkojë”, ka thënë ai.

Ndërkohë kanë shpërthyer spekulime se Bugatti po shmang testimin e shpejtësisë pasi e di se Chiron nuk mund të tejkalojë rezultatin që kishte arritur hiperautomobili suedez Koenigsegg Agera RS, i cili në testin zyrtar në Nevada, pas dy vozitjeve, arriti shpejtësi mesatare prej 447,2 km/h, përkatësisht 457,5 km/h.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat