Pavarësisht zërave se Volkswagen mund të shesë disa nga brendet e tij të automobilave luksozë, në mënyrë që të kompensojë shpenzimet për shkak të aferës dizel, nga gjiganti gjerman demantojnë spekulime të tilla.
Shefi i të gjitha brendeve premium që veprojnë në kuadër të grupit Volkswagen, Oliver Blume, nuk ka plane për shitjen e markave luksoze Bentley dhe Bugatti. Blume, i cili po ashtu është shef i Porsche, tha për Reuters se në përgjithësi nuk është duke u shikuar një mundësi e tillë.
“Nuk planifikojmë të shesim asnjërin nga auto-brendet tona”, ka thënë ai, duke shtuar se duke iu falënderuar bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet markave Porsche dhe Bentley është arritur kursim vjetor prej më shumë se 100 milionë euro.