Kryeqyteti pa stadium të atletikës! A u dëgjua thirrja e Hansenit?

Atletika

Kryeqyteti pa stadium të atletikës! A u dëgjua thirrja e Hansenit?

Nga: Kemajl Goca Më: 3 tetor 2018 Në ora: 15:18
Stadiumi në Mitrovicë

Të kërkosh rezultate apo suksese kur nuk ke kushte, është diçka e pakapshme për logjikën e njeriut! Mbretëresha e sporteve vazhdimisht has në vështirësi të mëdha sa i përket infrastrukturës sportive. I vetmi shteg i atletikës është në stadiumin olimpik “Adem Jashari”, por jo sipas kritereve ndërkombëtare, ndërsa ai në Gjilan më shumë është i dobishëm për stërvitje, por jo edhe për të garuar! Askush nuk e di se kur do të ndërtohet një stadium special i atletikës në shtetin e Kosovës. Është e neveritshme që Prishtina nuk ka stadium të atletikës. Kryeqyteti pa stadium të atletikës, sigurisht se është e pakapshme për trurin e njeriut. Nuk ka më mëkat që mos të kemi një stadium modern të atletikës në Prishtinë.

Jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytetet tjera të Kosovës, si në Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe në Gjilan. Jo vetëm stadiume të atletikës, por edhe të sporteve tjera, si një palestër speciale të basketbollit, hendbollit dhe të volejbollit. Sepse sporti duhet të avancohet dhe rinia jonë të ketë ku të ushtrojë dhe për të mëtuar rezultate në rrafshin ndërkombëtar. Fjala e presidentit të Federatës Evropiane të Atletikës (EAA), Svein Arne Hansen, ka hasur në veshët të shurdhët!?

Ai sa qëndroi në Prishtinë kishte kërkuar që të ndërtohet një stadium në kryeqytet dhe shpresojmë se fjala e tij do të merret parasysh. Të gjithë e dimë se stadiumi i atletikës nuk ndërtohet brenda 24 orëve, as brenda javës e as brenda muajit, por të paktën të bëhet një projekt dhe të kërkohet një lokacion. Ndërtimi i një stadiumit të atletikës në kryeqytet është edhe interes kombëtar dhe sigurisht se do të rritet edhe rejtingu jo vetëm për atletikën por edhe për shtetin tonë.  Është e dhimbshme kur atletët e atletet tanë në mungesë të një shtegut të mirëfilltë duhet të bëjnë me qindra kilometra jashtë Kosovës, për të shkuar në një stërvitje, në një stadium që ka kushte. Na ka ra shpesh t’i dëgjojmë atletët kur ankohen se duhet të shkojnë në Shkup të stërviten për një garë të rëndësishme ndërkombëtare.  

Është vështirë edhe për selektorin e kombëtares së Kosovës, Zijadin Kryeziu, ta përgatis garuesin për një garë të madhe, kur mungon infrastruktura sportive. Është shumë e vështirë edhe për kryetarin e Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, kur nuk has në mirëkuptim nga shteti, që të gjejnë një mundësi dhe të ndërtojnë një stadium me kapacitetet ndërkombëtare të atletikës. Prandaj, në këso kushte si veprojnë atletët dhe atletet është shumë vështirë të kërkohet rezultate. Është shumë vështirë të pretendohet diçka më shumë në garat evropiane e botërore. Sepse atletët e kanë të vështirë të adaptohen nga stërvitjet në tokën me pluhur dhe të garojnë në garat jashtë vendit, në stadiumet moderne të atletikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat