Suksesi i atletikës, një mesazh i qartë - duhet investime nga shteti - Bota Sot
Suksesi i atletikës, një mesazh i qartë - duhet investime nga shteti

Atletika

E martë, 25 shtator 2018

Suksesi i atletikës, një mesazh i qartë - duhet investime nga shteti

Nga: Kemajl Goca Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 18:17
Pamje nga konferenca

Atleti i kombëtares së Kosovës, Musa Hajdari, befasoi të gjithë me suksesin e madh në Kampionatin Ballkanik. Ai është nënkampion ballkanik, duke shënuar një nga sukseset më të mëdha për vendin tonë dhe me pak fat sportiv do të ishte edhe i artë në Stamboll. Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, vlerësoi lart suksesin e Hajdarit, po ashtu edhe përzgjedhësi Zijadin Kryeziu ka fjalë miradije. Është prej sporteve që funksionon në kushte shumë të vështira, për faktin se nuk kanë shteg adekuat për gara në vendin tonë edhe pse ai është në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, por nuk i plotëson standardet ndërkombëtare. Atletët tanë stërvitin në kushtet të vështira, shumë herë shkojnë të përgatiten edhe në Shkup, me gjithë këto halle e probleme shënojnë suksese, që i lakmojnë edhe shtetet e rajonit. 

Federata Atletike e Kosovës shpërbleu me 1250 euro Hajdarin për suksesin, ndërsa me 625 euro përzgjedhësin Kryeziu.  Hajdari, ndryshe është atlet i KA Roganës, tani përgatitet edhe për Kampionatin Botëror që mbahet nga 1-4 mars në Birmingham të Anglisë. Suksesi i tij në disiplinën 800 metra, me kohë 1.49.58 minuta, pa dyshim se ka qenë i jashtëzakonshëm në salla të mbyllura. “Me 17 shkurt, pikërisht në ditën e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ne të gjithë kemi pasur dy festa, Federata Atletike e Kosovës posaçërisht Musa Hajdari që kishte festën e dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe nënkampion ballkanik. Federata Atletike e Kosovës punon gjithmonë për rezultate të mira, qoftë në garat vendore qoftë në ato ndërkombëtare”, tha mes të tjera Sylejmani.

Hajdari është shprehur i lumtur me suksesin e madh në Kampionatin Ballkanik, por ka treguar edhe për peripecitë që hasi. “Ishte një garë shumë e vështirë, duke e ditur që të gjitha stërvitjet i kemi në terren të hapur, ndërkaq gara zhvillohej në një terren të mbyllur në salla. Kemi pasur shumë vështirësi, mirëpo në fund i gjithë mundi dhe sakrifica që e bëmë deri në atë moment u shpërblye me titullin nënkampion. Ishte një garë shumë e ngushtë, duke e parë rezultatin që ka qenë për 9 të qindtat diferenca, në mes të fituesit dhe meje, mirëpo vendosja në grupe ndoshta na ka kushtuar edhe me medalje të artë”, ka thënë Hajdari, i cili me 18 shkurt zuri vendin e pestë në disiplinën 1000 metra përkatësisht në mitingun ndërkombëtar, ku theu edhe rekordin e Kosovës. Zijadin Kryeziu është i fascinuar me suksesin e Hajdarit, por brenga e tij është që mungon infrastruktura sidomos shtegu që duhet për të stërvitur dhe garuar në vendin tonë.

“Kampionati Ballkanik në salla të mbyllura ishte kampionati i parë për ne dhe vështirësitë që na shfaqen në Kampionatet Ballkanike, janë shumë specifike, për shkak se kërkojnë ushtrime të veçanta, përkushtim të veçantë e ne kuptohet se stërvitemi në kushte jashtëzakonisht të vështira në terrene të hapura, nuk stërvitemi as në pista të atletikës jashtë por në terrene malore dhe shumë të vështira dhe nuk përputhen fare me kërkesat që kërkon një garues i palestrave”, tha Kryeziu.

Përzgjedhësi tha se shqetësimi më i madh ka qenë ndarja e grupeve, sepse ishin në grupin më të dobët dhe ai grup nuk ka qenë në kategorinë e Hajdarit. Kryeziu ka apeluar tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të ndërtohet në secilën qytet të Kosovës shtigje të atletikës. Në Kampionatin Botëror Kosova do të përfaqësohet vetëm me Musa Hajdarin dhe presin rezultat të mirë. Hajdari është në formë dhe synon të jap maksimumin, që të la mbresa të mira në  Kampionatin Botëror.  Suksesi i atletikës, një mesazh i qartë - duhet investime nga shteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test