Kampionati i medaljeve dhe jo i rezultateve

Atletika

Kampionati i medaljeve dhe jo i rezultateve

Nga: Mr.Adrian Mazreku Më: 14 gusht 2017 Në ora: 11:36
Mr.Adrian Mazreku

Debate

Kampionati botëror i Atletikës i ngjau Kampionateve Botërore të sporteve kolektive ku u luftua vetëm për medalje. Kampionati i 16-të botëror i atletikës solli shumë befasi, duke filluar nga dështimet e shumë atletëve dhe rikthimin i të tjerëve, dështim nga i madhi Usain Bolt dhe rikthimi i Justin Gatlin edhe pse ky i fundit 35 – vjeçar. Dështim total nga përfaqësuesja e Xhamajkës ku nuk arritën të jenë në pjesën e sipërme të tabelës së medaljeve si shtet, ndërsa këtë dështim e shfrytëzuan shumë mirë amerikanët për rikthimin në krye të botës. Sa i përket medaljeve dështimin e Xhamajkës dhe mungesën e Rusisë për shkak të përjashtimit e shfrytëzuan mirë shtetet e Afrikës, si Kenia dhe Afrika e Jugut ku u renditën në vendin e dytë dhe të tretë, ndërsa Xhamajka që në Kampionatin e kaluar - Pekini 2015 ishte e dyta me 12 medalje, në këtë kampionat u rendit vetëm në pozitën e 16 me 4 medalje. SHBA dominoi bindshëm me gjithsej 30 medalje, 10 të arta, 11 të argjendta dhe 9 të bronzta, Kenia është e dyta me gjithsej 11 medalje dhe Afrika e jugut e treta me 6 sosh.

Përpos një rekordi të Kampionateve Botërore në 3000 metra me pengesa, ky kampionat nuk solli asnjë rekord botëror. Mungesa e rekordeve karakterizohet nga disa faktorë: në këto gara bëhet luftë taktike për fitore dhe më pak garohet për rezultat, faktori tjetër është se në Kampionate Botërore nuk ka përfitime të mëdha sikur në ligën e diamanteve dhe një faktorë tjetër mund të jetë edhe kushtet klimatike të cilat mbretërojnë zakonisht në Londër, kur jemi te kushtet atmosferike problem I madh do të jetë në Kampionatin e ardhshëm Botëror që do të mbahet në Katar në vitin 2019, ku temperaturat janë mbi 40 shkallë celsius si kontinente fituese ishin: 1. Amerika; 2. Afrika; 3. Evropa.

Kosova u përfaqësua me atletin Astrit Kryeziu në disiplinën 800 metra, ku tregoi një performancë të mirë edhe pse dihen kushtet tona në Kosovë për të avancuar atletikën. Kosova nuk ka as kushtet elementare për t’u marr me atletikë sepse jemi dëshmitar të faktit se edhe shtegu i vetëm i atletikës që ekziston në Mitrovicë tani për tani nuk është i shfrytëzueshëm sepse është në renovim e sipër. Kur jemi te kushtet infrastrukturore në këtë kampionat pati atlet që vinë nga shtete të vogla dhe të varfra por që u prezantuan mjaft mirë, sepse ata atlet stërvisin në shtete tjera por përfaqësojnë vendin e tyre.

Një rast i veçantë ishte i atletit nga Siria i cili fitoi medaljen e bronztë në kërcim së larti, Muhamet Farah nga Britania e Madhe e përfundoi karrierën e tij në garat e shtegut në mënyrën më të mirë duke e mbrojtur titullin në vrapimin 10.000 metra dhe doli i dyti në vrapimin 5,000 m. ndërsa legjenda e vrapimeve të shkurtra Usain Bolt e mbylli karrierën në mënyrën jo të mirë duke humbur fillimisht garën në 100 m.; duke mos u paraqitur fare në vrapimin 200 metra dhe duke e ndërprerë garën në stafetën 4x100 m. që sipas meje dhe shumë analizave ndërkombëtare Bolt nuk është lënduar por me të parë pozitën jo të mirë për fitore ai stimuloi dhe e ndërpreu vrapimin, kështu kanë bërë stafeta e SHBA-së në garat e kaluara kur ishin duke humbur ndaj Xhamajkës

Autori është trajner i atletikës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat