Super maratonisti amerikan, vjen në gjysmëmaratonën e Prishtinës

Atletika

Super maratonisti amerikan, vjen në gjysmëmaratonën e Prishtinës

Më: 11 maj 2017 Në ora: 19:54
Michael Wardian

Federata e Atletikës e Kosovës, të enjten pati një mysafir të veçantë.

Me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, para përfaqësuesve të Federatës dhe të klubeve të atletikës, ka ligjëruar përfaqësuesi i Federatës Amerikane të Atletikës, Michael Wardian.

Wardian, në vizitën e tij të parë në Kosovë, ka folur për shembujt sesi organizohet Federata Amerikane e atletikës dhe disa prej garave elite të shtigjeve të gjata në Shtetet e Bashkuara.

“Jam i lumtur që sot qëndroj në një vend të ri për mua. Jam mësuar të lëviz dhe të shëtis shumë nëpër botë. Përshtypjet e para për këtë vend, njerëzit, pore dhe për ushqimin janë të shkëlqyera”, ka thënë Wardian.

Michael Wardian njihet si ultra maratonist, duke hyrë në mesin e sportistëve ekstremë.

Ai ka marrë pjesë dhe mban rekorde të maratonave në 5 km, 21 km, 42, e madje edhe në atë 50 km e 100 km.

Para të pranishmëve amerikani Wardian bëri të ditur se së shpejti do të jetë pjesë e një grupi prej 50 sportistëve ekstremë, të cilët do të sfidohen në maratonën më të gjatë në botë, atë prej 400 km, të cilën shpresojnë ta mbyllin për një ditë e gjysëm vrapimi, pa ndërprerë.

Kurse i pyetur për pjesëmarrjen e tij të dielën në Gjysmëmaratonën e Prishtinës, Wardian thotë se e respekton këtë garë, pavarësisht që distanca prej 21 km, mund t’i tingëllojë e vogël në krahasim me ato çfarë ka kaluar më herët.

“Jam shumë i entuziazmuar dhe s’mund të pres derisa të vije e diela, për të marrë pjesë në gjysmëmaratonën e Prishtinës. Dua të falënderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mundësinë që më dha të jem në këtë vend të bukur dhe të bëj një garë, që do të jetë e vecantë edhe për mua”, ka përfunduar Wardian.

Michael Wardian, së bashku edhe me disa anëtarë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, do të marrin pjesë në gjysmëmaratonën e Prishtinës, e cila mbahet të dielën më 14 maj, nga ora 10:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat