FemArt nis javën e ardhshme

Art

FemArt nis javën e ardhshme

Më: 17 maj 2018 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Edicioni i gjashtë i festivalit të parë dhe të vetëm feminist në Kosovë, njëherësh më i madhi në Ballkan, FemArt, do të mbahet nga data 25-30 maj me moton ‘Ti udhëheq’, përmes të cilës inkurajohet solidariteti për gratë dhe burrat që iu shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitave shoqërore.

Për shkak të interesimit të madh, FemArt këtë vit do të prezantojë programin e tij me më shumë se 40 aktivitete në Prishtinë, Ferizaj dhe Mitrovicën e Veriut.

Programi artistik i Festivalit FemArt adreson të drejtat e njeriut dhe lëvizjet feministe, të drejtat seksuale dhe shëndetin riprodhues, drejtësinë tranzicionale dhe ndërtimin e paqes, të drejtat e komunitetit LGBTQI+, fuqizimin e grave, dhunën kundër grave, njëherë promovon storiet e suksesshme rajonale dhe globale të grave. 

Festivali është një platformë për zhvillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave, si dhe për të shërbyer si urë lidhëse për ndërtimin e paqes dhe dialogut në rajon.

Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve çdo vit angazhon me qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave, ekspozitave, performancave, koncerteve, ligjëratave, punëtorive, paneleve të diskutimeve dhe prezantimeve të ndryshme në formë të artit.

Ky edicion përkrahet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Kvinna till Kvinna, Austrian Development Cooperation, UNFPA, CFD, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Unë e Du Kosovën, UN Women, IPKO Foundation, Koalicioni K10, QKSGJ, Unicef Innovations Lab.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat