Kam vendosur tek cili Zot të mos besoj

Analiza

Kam vendosur tek cili Zot të mos besoj

Nga: Martin Kaparos Më: 17 gusht 2018 Në ora: 19:40

Mesdita nuk kishte mëshirë. Termometri i kish kaluar 40 gradët, dielli përvëlonte dhe ajri ishte një seri zjarresh të vegjël. Hoxha bënte thirrje për faljen – thirrje drejtuar një perëndie dhe që pushtonte të gjitha hapësirat – dhe unë dëgjoja. Në xhaminë e Al Muajad, e vjetër pesë apo gjashtë shekuj, e madhe, pothuaj e zbrazët, në një lagje shumë të lashtë të Kairos, besimtarët nxitonin, të djersitur, lanin këmbët dhe kokën, përuleshin para një Zoti, dhe unë vëzhgoja. Dhe kështu pyeta veten nëse sjellja ime – distanca ime, poshtërsia ime dhe ligësia ime – meritonin zemërimin e një Zoti, dhe duke menduar kështu, më erdhi një zbulesë: ateizmi është një zgjidhje përtese. Çdo ateist thotë “nuk besoj në Zot”, a thua kjo do të mjaftonte. 

Liria e besimit, ashtu siç themi që e ushtrojmë, është e paplotë: zgjedhim, kështu mendojmë, se tek cili Zot duhet të besojmë; por nuk zgjedhim se në cilin Zot të mos besojmë. Ka një logjikë: ka qenë një kohë kur çdo qenie njerëzore lindte, jetonte dhe vdiste në brendësi të po të njëjtës traditë, dhe kështu vendimi i saj për të mos besuar, kur merrej, i referohej qartësisht një Zoti, atij që konsiderohej si i vetmi i vërtetë në komunitetin e saj. Përzierja mes njerëzve dhe globalizimi i kanë dhënë fund kësaj tradite. Nuk mjafton të mos besosh në zot. 

Duhet të zgjedhësh, ose të paktën duhet të kemi mundësinë të zgjedhim, në cilin Zot të mos besojmë. Gjëja më e kollajtë do të ishte të thoshim: tek asnjëri. Por do të ishte hipokrite: besoj se një ateist nuk beson tek njëri Zot, më shumë se sa tek të tjerët. 

Si të zgjedhim?

Nuk është e kollajtë: ka një tepricë oferte, me hyjni të pafundme. Por edhe këtu, për fat ekziston një rend. Nuk vlen, natyrisht, mosbesimi në hyjni si Zeusi apo Jupiteri, Hera, Pachamama, apo Amon Ra, për të cilët është qartësuar tashmë se bëhet fjalë për qenie fantazie. Dhe është e dukshme se, me vendimin e vet, Buddha nuk mund të konsiderohet një zot dhe që indios janë kaq të shumtë dhe kaq të grindur, saqë as nuk besojnë njëri-tjetrin. Nuk vlen as Mao Ce Duni, dhe në rastin e Maradonës debati është i hapur. Jetojmë në orbitën e tre hyjnive njëvendëshe. Për ne, të mos besojmë, do të thotë të mos besojmë tek ato.

Dhe kështu, natyrisht mund të mos besoja në Zotin e hebrenjve. Gjysma e paraardhësve të mi i besonin. Ka avantazhin që është e kollajtë dhe disavantazhin që është po kaq e kollajtë: nuk premton ndëshkime të mëdha për ata që nuk e ndjekin, por është njëkohësisht e vërtetë se për një hebre, të besojë në Zotin e vet do të thotë të zihemi, dhe si pasojë, të mos besosh shndërrohet në një truk, në këtë betejë.

Ose mund të mos besoj në Zotin e myslimanëve: në këtë moment shtë sigurisht më energjiku, më premtuesi dhe premtimet e tij për ndëshkim mbi jobseimtarët nuk kufizohen gjithmonë tek e përtejmja. Dhe kështu, ata që jetojnë për të na kërcënuar përfitojnë: prej vitesh thonë se ky zot është kërcënimi më i keq, më i prapambeturi, më fondamentalisti. A thua, në krahasim me të, Zoti i të krishterëve është një gjysh i sjellshëm.

Megjithatë, në rastin e Zotit të të krishterëve, kjo maskë bie vazhdimisht. Ose ndoshta nuk i pëlqen ta mbajë, djalli i gjorë. Në çdo rast bën gjithë sa mundet, thonë se është i gjithëfuqishëm, për të treguar se vazhdon të jetë ai mbreti. Për këtë arsye kundërsulmon, me prelatët e tij të ndryshëm, politikanë dhe njerëz të fushës së publicitetit. Dhe ia del: në këto ditët e fundit, në Argjentinë, për shembull, fushata kundër legalizimit të abortit – që do i mundësonte grave të varfëra, të cilat nuk mund të përballojnë një të tillë klandestin, të kenë të njëjtat të drejta me ato të pasura që munden ta paguajnë – e çuar përpara nga një numër gjithnjë e më i madh priftërinjsh dhe nga një papë, përfundoi duke më bindur se Zoti tek i cili nuk duhet të besoj, është ai. Më vjen keq për Allahun, Jehovain dhe të tjerët: zgjedh të mos besoj tek ky Zot i cili nuk ka mëshirë, që nuk ka turp dhe që, mes të tjerash, nuk ka edhe një emër të tijin: sepse beson se i ka të gjithë. / El Pais – Në shqip nga bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat