Çfarë nuk shkon me tolerancën fetare?

Analiza

Çfarë nuk shkon me tolerancën fetare?

Nga: Simon Rabinovitch Më: 20 korrik 2018 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Qëllimi i tolerancës fetare, ka qenë gjithmonë dhe mbetet, ruajtja e fuqisë dhe pastërtisë së fesë dominante në një shtet të caktuar. Shumica e feve mbizotëruese në shumicën e shteteve, deklarohen sot tolerante, por gjithashtu duket se ndihen veçanërisht të kërcënuara.

Lëvizjet nacionaliste fetare në Shtetet e Bashkuara, Europë, Indi, Turqi dhe Izraeli, duan të forcojnë marrëdhëniet midis identitetit shtetëror dhe fesë dominante. Në secilin rast, zgjedhjet demokratike kanë forcuar rëndësinë e fesë së shumicës në kuptimin e shtetit dhe kombit, duke rritur fuqinë e asaj feje.

Ne mund të shohim një shovinizëm në rritje, në përzierjen e katolicizmit dhe politikës në Europën Lindore, që i portretizon si armiq liberalët dhe komunistët. Edhe pse nacionalizmi fetar po fiton forcë, pretendimet për përkatësi në “Perëndim”, shtrihen pjesërisht tek një përdorim politik i tolerancës fetare.

Toleranca ka qenë historikisht një kornizë për njerëzit, që janë thellësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, për të jetuar në paqe së bashku. Çka është pikërisht arsyeja, pse është koha që toleranca të pushojë njëherë e mirë, së qeni një model për marrëdhëniet midis grupeve.

Skepticizmi mbi tolerancën ka një histori të gjatë, që nga shkrimtari gjerman Johan Volfang Gëte, i cili tha se “të tolerosh, do të thotë të fyesh”. Ajo u përball me një kritikë të qëndrueshme pas Luftës së Dytë Botërore, nga filozofë dhe teoricienë politikë si Karl Poper, Herbert Markyze dhe shumë të tjerë, që e panë tolerancën liberale si fajtore për miratimin pasiv të rritjes së fashizmit në gjysmën e parë të shekullit XX-të.

Aty ku Poper pa një shoqëri liberale, që kërkonte shtypjen e disa pikëpamjeve jo tolerante për vetë-ruajtje, Markyze e pa tolerancën e liberalizmit ndaj padrejtësisë, si vetë problemin. Pas Markyze, në vitet 1960, e Majta e Re shtroi pyetjen nëse ideja e tolerancës – veçanërisht e fjalës dhe diversitetit politik – shërbente vetëm për të mbrojtur qeveritë, korporatat dhe elitën, në politikat e vazhdueshme të shtypjes ekonomike dhe racore.

Kohët e fundit, një rrymë mendimi në marrëdhënieve ndërkombëtare, po thekson se si politika e jashtme që drejton qeveritë perëndimore, po ndan tani botën midis tolerancës dhe jo tolerances, në të njëjtën mënyrë siç ka dalluar dikur qytetërimi (të bardhët) nga barbarët (të gjithë të tjerët).

Toleranca është thellësisht e rrënjosur në morinë e idealeve të dukshme moderne:si një e mirë e natyrshme, një etikë e nevojshme individuale, një shtyllë e civilizimit perëndimor dhe dëshmi e superioritetit të saj.

Megjithatë, toleranca, si një ide dhe një etikë, anashkalon ndërveprimin midis individëve dhe grupeve, në përditshmëri dhe gjatë një periudhe afatgjatë; shkëmbimin e ndërsjellë kulturor dhe ideor ndërmjet grupeve në një shoqëri. Grupet nuk bashkëveprojnë në izolim, ato ndajnë reciprokisht, nganjëherë qëllimisht, dhe ndonjëherë pa dashje.

Nëse është e vërtetë që ekziston një shoqëri globale, ajo që mishëron sot pjesën më të mirë nuk është toleranca, por reciprociteti, marrëdhënia jetike dhe dinamike e shkëmbimit të ndërsjellë. që ndodh çdo ditë ndërmjet individëve dhe grupeve brenda një shoqërie.

Islami, Budizmi, Konfucianizmi, Sikhizmi dhe shumë qytetërime të tjera kanë ruajtur historikisht traditat e tyre të tolerancës fetare. Nga ana tjetër, Reformacioni në Europë, e zgjeroi intolerancën. Reformacioni i bëri gjyqet kundër herezisë, një simbol të përkushtimit fetar. Para se të arriheshin kompromiset që të krishterët e ndryshëm të jetonin me njëri-tjetrin, luftërat e dhunshme fetare e rrënuan Europën për 100 vjet e ca vjet.

Një refuzim i krishterë për të toleruar devijime të rëndësishme nga ortodoksia doktrinore – hebre apo mysliman, “paganë” dhe “egërsirat” me të cilët europianët po ndesheshin më së pari në Epokën e Zbulimit të tyre – ishte shenjë e shenjtërisë dhe pastërtisë, gatishmërinë për të vënë çështjet shpirtërore, mbi shqetësimet tokësore.

U deshën shumë vite, me ulje-ngritje dramatike, që ideja e tolerancës të shndërrohej në një vlerë pozitive të vlerësuar në shoqërinë evropiane. Për teoricienët e parë të tolerancës angleze si Xhon Lok, toleranca ishte e nevojshme para së gjithash për të mbrojtur krishterimin dhe shpirtrat e të krishterëve.

Vetëm në shekullin XVII-të, ideja e tolerancës filloi të hedhë rrënjë në Evropë si një parim në përputhje me qeverisjen e mirë dhe efektive. Iluminizmi, rritja e shteteve kombëtare, dy luftërat botërore dhe dekolonizimi evropian i pasluftës, e transformuan tolerancën nga një koncept ligjor që rregullonte privilegjet dhe aftësitë e kufizuara të feve që janë pakicë, në një ideal filozofik dhe etik.

Me ngritjen e korpusit ligjor ndërkombëtar të të drejtave të njeriut pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet ndaluan artikulimin e mbrojtjes së pakicave në dekrete të tolerances, apo garanci të të drejtave të pakicave. Në fakt, tolerance, nuk i ka shpëtuar kurrë origjinës së saj si një mjet i shumicës për të zgjidhur problemet e pakicës.

Si e tillë, toleranca mbetet një marrëdhënie e vetme ndërmjet tolerimit dhe tolerances, që me qëllim ose jo, e mban të toleruarit jashtë anëtarësimit të plotë në grupin dominues. Në dallim nga toleranca, reciprociteti njeh që shoqëritë e forta dhe dinamike, janë të bazuara në shkëmbimin social dhe kulturor.

Reciprociteti është një filozofi, një etikë shoqërore, një mënyrë për të parë botën dhe një psikologji. Ai mund të shërbejë si një përshkrim i asaj që lidh individët dhe grupet brenda një shoqërie, dhe shkëmbimi i ndërsjellë i kulturës shërben si një jetë e gjallë e të gjitha shoqërive të begata.

Për të zhvilluar konceptin e reciprocitetit si një etikë politike individuale dhe kolektive, ne mund ta mësojmë, ta studiojmë dhe të shkruajmë për të. Ne gjithashtu mund të pranojmë përgjegjësitë tona qytetare, shoqërinë tonë dhe njëri-tjetrin, ndërsa respektojmë kontributet e të tjerëve.

Kushtetuta e Republikës së dë dytë Franceze, e miratuar gjatë valës së revolucioneve demokratike të njohura si Pranvera e Popujve, që përfshiu Evropën më 1848, përfshin një nen të thjeshtë që nuk i jep asnjë të drejtë apo fuqi as shtetit dhe as popullit.

Neni VI thotë vetëm: “Detyrat reciproke, i bëjnë qytetarët të kenë detyrime ndaj Republikës, dhe Republika të ketë detyrime ndaj qytetarëve”. Reciprociteti e bën këtë pretendim, por shkon më tej:sa më shumë që pranojmë atë që lidhet reciprokisht çdo grup me shoqërinë dhe shoqërinë për secilin grup, aq më mirë do të jemi të gjithë.

Shënim: Simon Rabinovitch, është profesor historie në Universitetin e Bostonit në SHBA. Ai është autor i librit “Rite hebraike, rite Kombëtare:Nacionalizmi dhe autonomia në Rusinë e vjetër perandorake dhe revolucionare” (2014). / “Aeon.co” – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat