BE, kërcënimi i refugjatëve dhe kampet në vende të treta

Analiza

BE, kërcënimi i refugjatëve dhe kampet në vende të treta

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 11:25
Foto ilustrim

Bashkimit Europian i pëlqen të japë ultimatume, që nga afati dy-vjeçar për negociatat e Brexit, e deri te deklarata e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, që pasi mori detyrën tha se ky ishte “komisioni i mundësisë së fundit”.

Fatkeqësisht, udhëheqësit europianë i çojnë rrallëherë deri në fund planet e parashtruara aq mirë. Megjithatë, me problemin e emigrimit mund të mos kenë rrugëzgjidhje tjetër përveçse të veprojnë.

Ky problem është kthyer në një shpatë Demokleu mbi kokën e BE-së. Është problem që ka prishur çdo ekuilibër: ato midis vendeve e komuniteteve, midis sigurisë dhe të qenit të hapur, midis identitetit kombëtar e atij europian, midis vlerave shoqërore, ekonomike, dhe interesave strategjike. Si rezultat, nga gjithë sfidat që ka BE sot, emigrimi është ai që mund të shkatërrojë projektin europian.

BE ka treguar që kur situata vjen në pikë kritike, ajo që mbizotëron është inercia. Por kriza e emigrantëve është aq urgjente sa as BE nuk mund të shpresojë se do të kalojë vetvetiu. Nëse përpiqet ta bëjë këtë, problemi vetëm sa do të gangrenizohet, duke gërryer bazën e BE-së. Këtë herë, udhëheqësve të BE-së nuk u mbetet gjë tjetër përveçse të veprojnë ose të heshtin në faj.

Mos kujtoni se problemi i emigrimit do të zgjidhet. Rënia e aplikimeve për azil në vitin 2017 nuk ishte tregues se problemi po kapërcehej. Përkundrazi, ndërsa disa europianë po e kuptonin sfidën e madhe të emigrantëve vetëm në vitin 2015, kur kancelarja gjermane Angela Merkel hapi dyert për një milion azilkërkues të dëshpëruar, Europa e jugut kishte kohë që vuante nga kjo dukuri, që tani ka marrë mutacione të rrezikshme.

Shembull për këto mutacione është saga e ditëve të fundit me anijen Aquarius. E drejtuar nga një grup bamirës franko-gjerman, Aquarius kishte shpëtuar 630 emigrantë nga brigjet e Libisë. Më 9 Qershor, ministri i brendshëm i Italisë dhe njëkohësisht zv/kryeministër, Mateo Salvini, refuzoi kërkesën e anijes për t’u ankoruar në vendin e tij dhe madje u ndaloi të futeshin në ujërat italiane. Më pas, Malta bëri të njëjtën gjë dhe i refuzoi refugjatët. Më në fund, pas një jave të mundimshme, Spanja ndërhyri dhe e pranoi anijen në portin e Valencias.

Emigrantët e paligjshëm vijnë në Europë çdo ditë. Ndërkohë që Aquarius po futej në Valencia, 1000 të tjerë po shpëtoheshin në brigjet e tjera spanjolle, rreth qindra kilometra më në jug, teksa përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Gjibraltarit. Por një dramë e nivelit të lartë si ajo e Aquarius i shtyn politikanët që të marrin qëndrime të ashpra. Është nektar politik për populistët dhe helm për ligjvënësit e arsyeshëm.

Në fakt, lëvizja e Salvinit u ndoq nga akuza dhe përçarje që nuk ishin parë ndonjëherë. Presidenti francez, Emanuel Makron, e akuzoi qeverinë populiste në Itali se kishte shfaqur “cinizëm dhe papërgjegjshmëri”. Në Gjermani, mbijetesa e koalicionit qeverisës së Merkelit është në fije të perit. Shkak është një përplasjeje mbi çështjen e emigrimit, midis CDU-së së saj dhe partisë simotër bavareze, CSU, e udhëhequr nga Horst Seehofer, që është ministër i brendshëm.

Do të ketë anije të tjera si Aquarius dhe Europa s’mund të përballojë çdo herë drama të tilla. Hendeku midis sjelljes reale të BE-së dhe retorikës për solidaritet e vlera të përbashkëta duhet të mbyllet. Fatkeqësisht, ky rezultat është larg nga të qenit i garantuar.

Deri tani, përgjigjja e BE-së ndaj emigrimit ka qenë me masa të urdhëruara nga lart-poshtë. Kjo qasje, e nisur që në fillimet e krizës (në vitin 2013 ose 2014), duhej të kishte mjaftuar për të krijuar një angazhim të bashkërenditur nga Europa. Por pasiguria dhe zvarritjet e tepruara, (shumë prej të cilave kanë ardhur nga njëanshmëria gjermane), nuk kanë lejuar që të ketë veprime të njësuara nga BE, por e kanë kthyer emigrimin në një debat të nxehtë në politikën e brendshme të çdo vendi.

Po tani? Takimi i Këshillit Europian këtë fund qershori do të përqendrohet mbi emigrimin, por ka pak arsye për të shpresuar se do të ketë përparim. BE as nuk i është afruar një konsensusi të mundshëm politik, pasi klima e tanishme nuk e mundëson.

Në vend që njëra palë të ankohet për diktatin e Komisionit Europian e tjetra për rebelimin e vendeve anëtare, ajo që nevojitet nga udhëheqësit e BE-së është një reformim i plotë. Përparime ka pasur vërtet në shumë fronte, që nga shpërndarja e barrës së strehimit të refugjatëve, reformimi dhe forcimi i mbrojtjes së kufirit europian, marrëveshjet me vendet e tjera për të kthyer emigrantët, mbështetje për qeveritë që t’u adresohen faktorëve që nxisin emigrimin. Por nuk mjafton.

Ka mbetur vetëm një zgjidhje; krijimi i qendrave jashtë territorit të BE-se, që do të përpunojnë aplikimet e refugjatëve e do të merren me zhvendosjen e tyre. Është propozim i frikshëm, sepse ngjan me qasjen problematike të Australisë ndaj emigrimit. Ata i kanë mbajtur emigrantët larg syve dhe larg mendjes së njerëzve, shpesh për vite të tëra, në vende si Nauru dhe Papua e Guinesë së Re.

Tani Këshilli Europian po mendon të krijojë platforma të tilla, siç ua dikton nevoja. Por Europa nuk duhet të imitojë Australinë. Krijimi i këtyre qendrave për refugjatë në vende të treta, jashtë BE-së, do të ofronte përfitime të mëdha e do të shmangte drama si ajo e Aquarius.

Këto platforma jashtë BE-së do të jepnin mundësinë që të bëhej një vlerësim i kontrolluar se cilët prej emigrantëve meritojnë mbrojtje ligjore nga BE-ja, që përpara se të futen në BE. Nëse emigrantët e dinë që nuk do të shkelin dot në BE pa u miratuar më parë kërkesa e tyre për azil, ata që nuk kualifikohen kanë më pak gjasa të bien pre e trafikantëve dhe mund t’i shmangin udhëtimet e rrezikshme.

Që t’i mbijetojë krizës së emigrantëve, BE duhet të punojë bashkërisht. Kampet e Refugjatëve jashtë BE-së, në vende të treta, do të ngrinin sfida etike, ligjore e financiare. Por janë sfida që mund të kapërcehen. E gjithë e ardhmja e BE-së mund të varet nga kjo.

Për Project Syndicate, Ana Palacio, ish ministre e jashtme e Spanjës, ish zv/Presidente e Lartë e Bankës Botërore, anëtare e Këshillit Shtetëror Spanjoll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat