Pak muaj më parë, lufta ishte shumë pranë. Tani duhet...

Analiza

Pak muaj më parë, lufta ishte shumë pranë. Tani duhet...

Më: 29 prill 2018 Në ora: 21:07
Foto ilustrim

“Shumë pak njerëz e kanë kuptuar se sa pranë luftës ishim disa muaj më parë, me pas u shfaqën tre rrethana të favorshme: Moon Jae-in që këmbëngulte për të ftuar koreano-veriorët në Olimpiadën Dimërore; Kim që kërkonte të gjente një mënyrë për zbutjen e sanksioneve ekonomike dhe mbi të gjitha, testi i fundit i raketave me të cilin regjimi demonstroi se kishte arritur kapacitetin për të goditur një qytet amerikan. Ishte nëntor dhe kthesa nisi aty”.

Kështu e mendon doktor Andrei Lankov, ndoshta njohësi më i thellë i krizës koreane, një rus që ka studiuar në Universitetin Kim Il Sung të Fenianit, përpara se të transferohej në Seul, ku jep mësim dhe udhëheq think tank-un, Korea Risk Group.

A nuk mendoni që Marshalli synon që vetëm të legjitimohet si kreu i një shteti bërthamor?

Ai është tashmë, ta mohosh këtë në këto negociata do të ishte joracionale dhe e papërgjegjshme. E megjithatë, Kimit nuk i intereson as legjitimimi formal.

Atëherë, çfarë kërkon?

Në nëntor, ai kuptoi se po shkonte shumë përpara, ai do ta ruajë regjimin e tij, pushtetin dhe jetën. Për këtë arsye pranoi të dialogojë. Nuk do të heqë dorë nga armët, por duhet të jetë realist dhe të dakordësohet me Trumpin, përn jë reduktim të arsenalit të tij të armëve atomike dhe raketave, që në fund të fundit nuk i duhen të gjitha. I mjaftojnë disa raketa për të arritur qëllimin e mbijetesës së garantuar, sepse askush nuk do të sulmonte një vend bërthamor si Korea e Veriut. Kim mund t’i japë Trumpit disa prej raketave.

Por SHBA kanë si objektiv çarmatimin e plotë bërthamor, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm. Si dilet?

Me realizëm: të gjithë fuqitë e shpallura bërthamore janë të deklaruara për çarmatimin final, e kanë firmosur në Traktatin e Mospërhapjes së vitit 1968, dhe nuk e kanë bërë. Kimit i duhet kërkuar që të reduktojë arsenalin dhe të mos prodhojë armë të reja, ky është rezultati maksimal që mund të arrihet. Dhe unë jam optimist.

Në të kaluarën kishit hedhur hipotezën e një konflikti të ri, pse tani besoni në një kthesë të mundshme?

Sepse politika e Trumpit, për befasinë time, ka funksionuar. Tani rreziku është vetëm që presidenti mund të dojë ta teprojë, të mos kënaqet, të mos kuptojë se po arrin një fitore diplomatike serioze. Por unë besoj se Trumpi do të bëjë sikur do të besojë në çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut, sepse nuk do një luftë. Kur në fillim të vitit flitej për veprim ushtarak dhe thyerje hundësh, presidenti duhet të ketë kuptuar se do të viheshin në lëvizje Kina dhe Rusia, dhe që Marshalli ishte i bindur se do ia hidhte. Për këtë arsye Trumpi priti dhe pati të drejtë.

Dikush propozon t’i paguhen Kimit disa miliona dollarë për çdo raketë që dorëzon. A do të funksiononte?

Pse jo? Paraja ka shumë rëndësi në politikën e Fenianit. Kimi, pa e thënë, është angazhuar në një program ekonomik alla kinez, të reformave të tregut. Do zhvillim ekonomik sepse e di që përmirësimi i jetesës do i rriste popullaritetin.

Rezultati i takimit me Trumpin?

Presidenti në Tuiter do të shesë marrëveshjen e mospërhapjes, do të flasë për ndalim të prodhimit, për mospërhapje të mëtejshme dhe do të bëjë mirë. Marrëveshja finale ndoshta nuk do të zgjasë përgjithmonë, Korea e Veriut nuk do të dorëzohet, do të mbetet një regjim brutal, por rreziku i përplasjes ushtarake do të bjerë. / CdS – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat