Zuckerberg kërkoi falje, por kjo nuk ka vlerë

Analiza

Zuckerberg kërkoi falje, por kjo nuk ka vlerë

Michael Knigge Nga Michael Knigge Më 12 prill 2018 Në ora: 08:54
Mark Zuckerberg

Kreu i Facebookut, Mark Zuckerberg pranoi publikisht se ka bërë gabime. Kjo është gjë e mirë, por nuk ka vlerë. Facebook, Google dhe të tjerët duhet të trajtohen si koncerne moderne, mendon Michael Knigge.

Në kuadër të marrjes në pyetje të kreut të Facebookut, Mark Zuckerberg nga kongresi amerikan për keqpërdorimin masiv të të dhënave tek Facebooku, vetë sipërmarrja ishte e mbytur deri në fyt me përballjen me skandalin. Javën e kaluar, Facebook bëri të ditur, se mbështet të ashtuquajturin "akt i ndershëm publiciteti", një projekt që parasheh të njëjtat rregulla për reklamën në internet, si në radio e televizion. Po ashtu u bë e ditur, se Facebook do të riformësojë rregullat për publicitetin me përmbajtje politike. Kështu klientët që duan të ofrojnë reklamë të tillë, në të ardhmen duhet të identifikohen, e të thonë se kush e paguan reklamën.

Facebook do të lejojë një vështrim brenda koncernit

Po të hënën, kur Zuckerberg ndodhej në Uashington për të folur para kongresit, koncerni gjigand bëri të ditur se do t'u lejojë një grupi të jashtëm ekspertësh, që "përfaqësojnë qëndrime të ndryshme politike" të kenë akces në të dhënat e koncernit për të parë rolin e Facebookut në zgjedhjet në vende të ndryshme.

Pika kulmore e aferës: Kërkimi publikisht falje nga ana e Mark Zukcerbergut: Të martën para senatit amerikan ai e përsëriti se atij i vjen shumë keq për gabimet e Facebookut dhe premtoi përmirësim për të ardhmen.

Të kërkosh falje nga detyrimi

Të kërkuarit falje nga Zuckerberg ishte një akt i vonuar: 33 vjeçari nuk është vetëm themeluesi, drejtuesi i koncernit, por mban edhe 60% të të drejtave të aksioneve të Facebookut. Me këtë ai është kreu i patundur i koncernit dhe drejtpërdrejt përgjegjës për gabimet në biznesin e tij. Po kaq e vonuar dhe urgjentisht e nevojshme ishte edhe kthesa e ofruar nga Facebook në drejtim të transparencës, rregullave të publicitetit dhe mbrojtjes së të dhënave.

Por të mos e gënjejmë veten: Arsyeja e vetme, pse Facebooku reagon tani, është se ndjehet i detyruar. Zbulimet e fundit dhe rolie turpërues i platformës në fushatën e dyshuar se është inskenuar nga Rusia gjatë zgjedhjeve presidenciale 2016, e përveç kësaj keqpërdorimi masiv i të dhënave të përdoruesve nga firma britanike, Cambridge Analytica: Të dyja skandalet janë shumë të mëdha për t'u kaluar pa u ndjerë në të dyja anët e Atlantikut.

Facebook&Co - Duhet vigjilencë

Pranimi publikisht i fajit nga Mark Zuckerberg, dhe premtimi për përmirësime, të kontrollohen të gjtha aplikacionet që kanë akces në të dhënat e përdoruesve, si edhe heqja dorë nga publiciteti me sfond politik - të gjitha këto nuk mjaftojnë që Facebook të dalë nga fokusi i vëmendjes. Nuk mjafton, sepse nuk është hera e parë që Facebook përballet me stuhi zemërimi për mënyrën e veprimit me sferën private të përdoruesve. Pak pas themelimit, Facebook i tha lamtumirë mbrojtjes së të dhënave duke avancuar në një platformë, që i detyron përdoruesit të japin informacione personale, konstatoi grupi investigativ, "Electronic Frontier Foundation" që para tetë vjetësh.

Biznesi gjigand me "big data"

Nga ana tjetër skandali i Facebookut është vetëm maja e ajsbergut. Edhe lojtarë të tjerë të mëdhenj të internetit, Google, Twitter kanë qenë të përfshirë në përhapjen e dezinformacioneve gjatë zgjedhjeve presidenciale. Edhe ato treguan për të satën herë, se mbrojtja e të dhënave nuk ka prioritet për ta. Vetëm të hënën ofruan padinë tek Komisioni Federal Tregtar i SHBA-së 29 grupe konsumatorësh. Aty thuhet se video-platforma e Googleit shkel ligjet e mbrojtjes së fëmijëve, sepse mbledh të dhëna për përdorues nën moshën 13 vjeç.

Nuk habit askënd që Facebook dhe Google mbledhin dhe i shesin të dhënat tona. Edhe nëse Mark Zuckerberg thekson, se Facebook e kupton veten si një sipërmarrje "idealiste", detyra e së cilës është të lidhë njerëzit me njëri-tjetrin. Edhe nëse Google pretendon, se vetëm ofron informacione. Fakt është që biznesi kryesor i këtyre koncerneve është mbledhja e të dhënave për qëllime reklame. E madje në përmasa globale.

Si Facebook ashtu edhe Google e nxjerrin pjesën e luanit të të dhënave me shitjen e reklamës që ata e ofrojnë të përshtatur me profilin personal të përdoruesve. Nëse keni dyshime, shkarkoni njëherë "historinë" personale tuajën, por gjeni pak kohë për këtë. Edhe argumenti, se askush nuk është i detyruar të përdorë Facebook dhe Google, nuk është i drejtë dhe është jorealist. Në ekonominë e sotme digjitale interneti dhe gjigandët e mediave sociale janë kthyer faktikisht në programe shërbimi. Ata janë shumë të fuqishëm dhe të rëndësishëm për të hequr dorë prej tyre.

Nuk ka profile "fake" në Facebook?

Vlerësimi nuk është i ri, po ashtu si propozimet si të veprohet me gjigandët e rëndësishëm për ekonominë. Këtu bën pjesë e drejta e karteleve, për të reduktuar tendencat gati monopoliste të Facebook dhe të tjerëve. Ka edhe apele, që të detyrohen firmat që jetojnë nga reklama, si Facebooku të ofrojnë një shërbim pa reklama kundrejt pagesës.

Para senatit amerikan, Zuckerberg nuk e pranoi këtë. Edhe për pyetje të tjera ai dha përgjigje manovruese, si për shembull pyetjes se çfarë bën Facebooku me të gjitha të dhënat e përdoruesve. Teknikisht ndoshta duket se Facebooku nuk lejon profile të fallsifikuara, siç theksoi Zuckerberg. Por ato ekzsitojnë. Kështu rrjeti social bëri të ditur në ditën e marrjes në pyetje të Zuckerbergut nga kongresmenët amerikanë, se ka larguar nga faqja profile të tilla.

Të gjitha këto të mësojnë, se deklaratat e Zuckerbergut dhe strategjia e koncernit janë të orientuara në drejtim të ruajtjes së modelit të deritanishëm të tregtimit të të dhënave, e madje me sa më pak kufizime të jetë e mundur. Me kërkime falje dhe premtime që këtë herë gjërat do të përmirësohen, gjigandët e internetit vetëm duan të pengojnë futjen nën kupolën e rregullimit të autoriteteve.

Por kongresi amerikan dhe BE nuk duhet ta kafshojnë këtë karrem. Facebok&Co duhet të kufizohen, Ato janë shumë të mëdhenj e shumë të rëndësishëm për të ardhmen e demokracisë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat