Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor. E dyfishuar për t’u forcuar, ky është fati i Evropës

Analiza

Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor. E dyfishuar për t’u forcuar, ky është fati i Evropës

Më: 7 mars 2018 Në ora: 15:58
Ilustrim

Ndërkohë që kërkohen me mundim linjat udhërrëfyese të aseteve të ardhshme post-Brexit, zgjerimi i propozuar deri në vitin 2025 me Shqipërinë, Bosnjen, Kosovën dhe Maqedoninë, përveç Serbisë dhe Malit të Zi që tashmë po vjen, përbën një shembull të kontradiktave që përshkojnë procesin evropian. Futja e Ballkanit në BE është çmimi final i një rrugëtimi të gjatë drejt demokracisë së plotësuar; pra, nga një anë bëhet fjalë për një akt të detyrueshëm. Nga ana tjetër, mund të rrisë pabarazitë ekonomike dhe konfliktet e brendshme mes të Njëzeteshtatëve (Kosova ka një sovranitet të pasigurtë, Maqedonia një identitet të kontestuar). Duke u zgjeruar, BE forcon dimensionin e saj demokratik, por mund të favorizojë një shpërbërje, risku i të cilës nuk duhet të ekzagjerohet – impianti i përbashkët ka shumë garanci – por as të nënvlerësohet.

Ndoshta nuk e kemi menduar mjaftueshëm, por ishte iluzion që, vende të cilët sapo kishin fituar një sovranitet i cili u ishte shkelur prej dekadash – dhe anëtarët e rinj ballkanikë janë mes tyre – do të ishin të disponueshëm për të të hequr dorë nga një pjesë e tij, në emër të një projekti që ka lindur dhe është rritur jashtë tyre. Historitë kanë qenë të ndryshme, dhe të tillë janë edhe rrugëtimet: “Bashkimi gjithnjë e më i fortë” i shpallur nga Traktati i Lisbonës prishet dhe ndërtesa nis e plasaritet. Vetëdijësimi për këtë është i rëndësishëm, për të kuptuar masat e mundshme.

Të gjithë e gjejnë veten tek ideja e Evropës si vend i lirisë, demokracisë dhe rritjes, por në lidhje me sjelljen brenda saj, opinionet ndryshojnë. Lëvizje dhe parti euroskeptike që denoncojnë mangësitë e demokracisë në BE, janë tashmë një e dhënë e paeleminueshme e panoramës politike. Mjegullimi i idesë në origjinë të BE e ka bërë këtë të fundit të burgosur të një domethënieje teknokratike, në të cilën mjetet tashmë janë ngatërruar me qëllimet. Euro nuk është më kalimi vendimtar drejt dimensionit politik të Unionit, por është shndërruar pothuaj në qëllimin final. Burokracitë dhe rregulloret, që kanë mundësuar shtatëdhjetë vjet paqe dhe një rritje që nuk ka të ngjashëm, janë shndërruar në sinonim negativ të vetë idesë së Evropës.

Paradoksalisht (por jo shumë) rritet edhe atje ku më pak pritej – nga Polonia e Dudas, tek Hungaria e Orbanit – një “dëshirë për Evropën”, larg prej liturgjive të Brukselit dhe legjitimuar nga poshtë, prej mbështetjes së ulët popullore. Eshtë një Evropë që nuk do më integrim dhe reklamon instrumenta të kontrollit demokratik më pranë qytetarëve. Do që temat kritike të lëvizjeve migratore, kontrollit të efektshëm të kufijve, të Schengenit, të politikave sociale dhe sigurisë, t’u nënshtrohen egoizmave kombëtare të kryqëzuara, të cilat eleminojnë idenë e solidaritetit.

Por e gjitha është e pamundur pa një integrim më të madh, i domosdoshëm jo për të ndjekur krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës, por për të krijuar instrumenta në gjendje të realizuar një sintezë mes interesave të kundërvënë, duek përshtatur politika në gjendje të ndërmjetësojnë mes prioriteteve të ndryshme. E njëjta gjë vlen për Euron: nëse nuk do të mund të kompletohet “këmba” ekonomike e politikave fiskale dhe buxhetit, fati i saj në afat të gjatë është i vendosur. Më pak Evropë, apo më shumë integrim? Në Bashkimin Evropian të sotëm ekzistojnë jo vetëm prioritete, por rrugëtime paralele, të ndryshëm mes tyre nga pikëpamja sasiore dhe ajo cilësore: pranimi i kësaj nuk do e dobësonte, përkundrazi do të lejonte shfrytëzimin e plotë të potencialeve të Evropës.

Gjeometritë e ndryshueshme dhe shpejtësitë e ndryshme nisen nga konstatimi i realitetit të ndryshuar, por nuk i përgjigjen plotësisht asaj që nevojitet. Ato supozojnë që, edhe pse me mënyra dhe kohë të ndryshme, objektivi mbetet i përbashkët për të gjithë, ndërkohë që nuk është më kështu. Gjeometritë dhe shpejtësia mblidhen në një kontenier të vetëm konceptual, dhe rezultati është që përshkallëzohen tensionet, në vend se të shfrytëzohen sinergjitë që do të buronin nga autonomia.

Mjafton tëmendosh për raportin mes të hyrave dhe të dalave në Eurozonë – apo vështirësinë për të përkthyer në fakte, pozicionet e njëzetë e ca vendeve për një politikë të përbashkët të mbrojtjes – për ta kuptuar. 

Eshtë koha të kuptojmë se për t’u rritur, BE duhet që të dyfishohet, duke i dhënë dinjitet të njëjtë mënyrave të ndryshme për të qenë brenda saj. Traktati i ri i Elizesë vë theksin në rritjen e përgjegjësisë së qeverive dhe rolin udhëheqës franko-gjerman, pa dalë nga skema e unitetit. / CdS – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat