Të tjerët shkojnë e vijnë, Merkel qëndron si shkëmb

Analiza

Të tjerët shkojnë e vijnë, Merkel qëndron si shkëmb

Më: 4 mars 2018 Në ora: 20:10
Angela Merkel

Më 14 mars pritet që Parlamenti i Gjermanisë të zgjedhë për të katërtën herë kancelare Angela Merkelin. Një listë liderësh të cilët kanë qeverisur gjatë «epokës Merkel».

Mbi 60 për qind e anëtarëve të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) kanë votuar për të lidhur koalicion me partinë konservatore CDU të kancelares Angela Merkel. Të hënën, më 12 mars, pritet që SPD të prezantojë listën e ministrave, mes tyre edhe shefin e politikës së jashtme. Dy ditë më vonë, më 14 mars, do të mblidhet Bundestagu për të zgjedhur Merkelin kancelare të Gjermanisë – për herë të katërt nga viti 2005.

Ky është një rast i mirë për të prezantuar një listë liderësh të cilët kanë qeverisur apo qeverisin gjatë «epokës Merkel». Lista tregon në një mënyrë edhe stabilitetin e sistemit politik gjerman. Së paku deri më tani.

Kur është zgjedhur Merkel kancelare, president i SHBA-ve ishte George W. Bush. Pastaj u zgjodh Barack Obama. Dhe vitin që shkoi Donald Trump.

Merkel i kishte homologë këta kryeministra britanikë: Tony Blair, Gordon Brown, David Cameron. Aktualisht kryeministre është Theresa May. Ka gjasa që edhe May të largohet para se Merkel të mbarojë mandatin.

Kur është zgjedhur Merkel kancelare, president i Francës ka qenë Jacques Chirac. Pastaj u zgjodh konservatori Nicolas Sarkozy, mandej socialisti François Hollande dhe vitin që shkoi president u bë Emmanuel Macron.

Nuk është ndonjë befasi se më së shumti kryeministra ka ndërruar Italia gjatë viteve të Merkelit. Në 72 vitet e fundit në Romë janë ndërruar 64 qeveri, ndërsa prej se Merkel u bë kancelare në Berlin shefa të qeverisë në Romë kanë qenë: Romano Prodi, Silvio Berlusconi, Mario Monti, Enrico Letta, Matteo Renzi. Tani kryeministër është Paolo Gentiloni.

Në skenën e politikës ndërkombëtare më gjatë në pushtet se Merkel është vetëm Vladimir Putini. Atë më 31 dhjetor 1999 e pati bërë pasardhës Boris Jelcini, pasi i premtoi se nuk do ta çojë në burg për korrupsion. Që nga atëherë Putin ka qenë kryetar, kryeministër, kryetar. Më 18 mars në Rusi do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Nuk ka dilemë se kush do të fitojë. Kështu është në vendet autokratike.

Shi Xhinpin (Xi Jinping) është president i Republikës Popullore të Kinës nga viti 2013. Nesër në Pekin fillon punimet 16-ditore Kongresi i Popullit, i cili do të ndërrojë Kushtetutën dhe Shi Xhinpin do të ketë mandat të përjetshëm të presidentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat