Misteret e vdekjes së Astrit Deharit - Bota Sot
Misteret e vdekjes së Astrit Deharit

Analiza

E mërkurë, 26 shtator 2018

Misteret e vdekjes së Astrit Deharit

Nga: Gazeta Jeta në Kosovë Më: 4 nëntor 2017 Në ora: 23:23
Pamje nga homazhet për Astrit Deharin

Një vit pas vdekjes së Astrit Deharit vazhdojnë të mbeten dilema dhe paqartësi, hetimi është para përfundimit dhe një super-ekspertizë pritet të nisë.

Pikërisht në ditën kur Qeveria e Kosovës kishte çuar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, objekti më i rëndësishëm në Republikën e Kosovës u godit me antitank.

Lidhur me këtë sulm, pa kaluar një muaj, Policia e Kosovës arrestoi si të dyshuar 6 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Saktësisht, një vit më pas, marrëveshja e demarkacionit nuk ka kaluar ende, 1 person është liruar nga dyshimi për kryerjen e sulmit, katër të tjerë  po gjykohen, ndërsa  Astrit Dehari nuk do të dëgjojë kurrë epilogun e gjykimit për të cilin u arrestua dhe u dërgua në paraburgim nga ku doli i pajetë.

Një vit më pas, rrethanat në të cilat vdiq Astrit Dehari vazhdojnë të mbeten të rrethuara me mister, hetimet për vdekjen e tij nuk kanë çuar askund, edhe pse prokuroria nxori versionin sipas të cilit Astrit Dehari i mori jetën vetes.

Familja e Astritit dhe subjekti që ai i takonte- Lëvizja Vetëvendosje,  ngritën  shumë pikëpyetje për hetimin dhe drejtuan gishtin drejt pushtetit, duke e quajtur madje këtë vdekje si vrasje.

Marrëveshja që solli mosmarrëveshjen

Insistimi i vazhdueshëm i koalicionit të atëhershëm PDK-LDK që të procedojnë në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen për demarkacionin e kufizimit me Malin e Zi, u shoqërua me kundërshtimin e ashpër të opozitës që pretendonte se Kosova humb një pjesë të konsiderueshme të territorit në favor të Malit të Zi.

Kundërshtimi i opozitës u shfaq me bllokimin e seancave të Kuvendit të Kosovës përmes rrethimit të foltores, hedhjes së gazit lotsjellës, fishkëllimave e protestave që shpesh rezultuan me dëme materiale e deputetë të arrestuar për hedhje të gazit lotsjellës.

Mirëpo, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, këto nuk ishin metodat e vetme me të cilat u tentua pengimi i marrëveshjes së demarkacionit.  Pa kaluar një muaj nga mesnata e 4 gushtit të vitit të kaluar kur u sulmua me antitank Kuvendi i Kosovës, Prokuroria identifikoi si të dyshuar për këtë sulm, Atdhe Arifin, Frashër Krasniqin, Astrit Deharin, Egzon Halitin, Adea Batushën dhe Petrit Ademin.

Më 31 gusht të 2016-ës të gjashtë të dyshuarit dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë. Teksa, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Petrit Ademi u liruan në arrest shtëpiak, ndaj të tjerëve u caktua masa e paraburgimit.

Përderisa prokurori, kërkesën e tij për paraburgim e mbështeti me pretendimin se tre nga të akuzuarit kishin blerë motorin i cili ishte përdorur për sulmin në Kuvend dhe se të dyshuarit mund të arratiseshin nëse nuk u caktohej paraburgimi, Astrit Dehari i kishte quajtur “broçkulla” pretendimet e prokurorit duke e ftuar që të merret me  “pronton”, “zajednicën” e demarkacionin, e jo me procese qesharake me djem paqësorë”./Gazeta Jeta në Kosovë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test