Oda Amerikane dhe Konsullata e Kosovës në Nju Jork, aktivitete të përbashkëta - Bota Sot
Oda Amerikane dhe Konsullata e Kosovës në Nju Jork, aktivitete të përbashkëta

Amerika

E premte, 20 korrik 2018

Oda Amerikane dhe Konsullata e Kosovës në Nju Jork, aktivitete të përbashkëta

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 14:54
Foto nga takimi

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ishte nikoqire e konsullës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Teuta Sahatqija, me të cilën u bisedua për koordinimin e përpjekjeve ndërinstitucionale me qëllim të promovimit të mundësive për investime në Kosovë dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasadorja Sahatqija tha se pas realizimit të suksesshëm të aktivitetit të përbashkët për promovimin e verërave të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar në Nju Jork, ku mori pjesë edhe Ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Nickey Haley, duhet të vazhdohet me aktivitete të tjera, të cilat kanë për synim sigurimin e partneriteteve për bizneset kosovare në SHBA. Ajo foli në veçanti për mundësitë e shumta që ekzistojnë për kompanitë kosovare nga fusha e teknologjisë së informacionit, në aspekt të kontraktimit të proceseve afariste.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se përpjekjet institucionale për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë, duhet të jenë të bashkërenduara dhe më të targetuara për biznese specifike amerikane, të cilat kanë mundësi për zgjerim të biznesit në Kosovë. Ai ofroi përkrahje Konzullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork për koordinimin e aktiviteteve promovuese të cilat do të mbaheshin përgjatë vitit në Nju Jork e të cilat do të kishin në fokus audienca më të targetuara të bizneseve dhe palëve të tjera të interesit, përfshirë këtu edhe autoritetet shtetërore amerikane, si dhe institucionet financiare amerikane e ndërkombëtare.

Bashkëbiseduesit u dakorduan për përpilimin e një plani të detajuar të punës për të gjitha aktivitetet e mundshme, në të cilin do të përfshiheshin edhe organizata të tjera që mbështesin aktivitetet e inovacionit dhe ndërmarrësisë si Qendra e Inovacionit e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test