Për pasqyrimin te “Dielli” i festimit të 73-vjetorit të shkollës “Skënderbej”

Amerika

Për pasqyrimin te “Dielli” i festimit të 73-vjetorit të shkollës “Skënderbej”

Nga: Thanas L. Gjika - Boston SHBA Më: 31 mars 2018 Në ora: 07:42
Thanas L. Gjika

Në gazetën "Dielli" online të datës 28-29 mars u botua shkrimi i zonjës Kozeta Zylo ku paqyrohej aktiviteti i shoqërisë së ushtarakëve shqiptaro-amerikanë që kanë mbaruar Shkollën e Mesme "Skënderbej". Pati reagime nga z. Beqir Sina dhe disa kolegë, si dhe prej meje. Z. Dalip botoi në gazetë përgjigjen e tij, por jo dhe shkrimin tim, prandaj po kërkoj që të botohet edhe shkrimi im kritik ndaj këtij problemi.

Të gjithë e dijmë se “Shkolla e Mesme Skënderbej" bashkë me shkollat e tjera ushtarake si “Shkolla e Bashkuar Enver Hoxha", "Shkolla e Lartë e Policisë dhe e Sigurimit", kanë qenë inkubatorë ku rriteshin kuadrot e shtetit diktatorial. Gati të gjithë ata që mbaronin shkollën “Skënderbej” vijonin më tej studimet në “Shkollën e Bashkuar Enver Hoxha” dhe shumë prej tyre kryenin dhe “Shkollën e Partisë, ose “Shkollën e Sigurimit”. Pra është e qartë se ata shqiptaro-amerikanë që u mblodhën për të festuar 73-vjetorin e shkollës Skënderbej, nuk kishin qenë thjesht skënderbegas, por kuodro të lartë të Partisë shtet, që i shërbyen shtetit diktatorial për t'ia zgjatur jetën dhe nuk i shërbyen popullit për t'ia mbrojtur lirinë e vërtetë që i ishte shkelur. 

Armiqtë i sajonte vetë Enver Hoxha për të na mbajtur nën terror e frikë. Dhe kur ai shpalli armiq e tradhëtarë dhe kuadro të lartë të ushtrisë si Ministrin e Mbrojtjes. Zv.Ministrat e tij dhe Shefin e Shtabit, të gjithë këta zotërinjtë që u mblodhën në festë, nuk dolën të mbronin kolegët e tyre, por si servilë të diktatorit i dënuan shokët e tyre “tradhëtarë”.  

Të krijosh shoqëri dhe të festosh me mburrje për kohën e shërbimit nën diktaturë pa shprehur asnjë kritikë ndaj shërbimit servil nën diktaturë, do të thotë se nuk ke kuptuar se sistemi i diktaturës se proletariatit dështoi me turp, do të thotë të punosh për të ngjallur nostalgji për kohën e diktaturës, pra të ngjallësh nostalgji e respekt edhe për vetë diktatorin. 

Krijimi i të tilla shoqërive bëhet në Shqipëri ku sundon Partia Socialiste, bija e Partisë së Punës, por këtu në SHBA kjo nismë më duket shumë e gabuar. Edhe më i gabuar është fakti që gazeta e shoqërisë "Vatra", gazeta "Dielli", t'i pasqyrojë e t'i përgëzojë të tilla ngjarje.

Z. Beqir Sina ka të drejtë që ngre zërin me alarm.

Ju z. Dalip më shkruani në e-mail dhe në gazetë se nuk u bë krim me botimin online të atij shkrimi, dhe se duhet të kemi parasysh se dhe z. Bujar Nishani ish Presidenti i R. SH, që ka dekoruar shoqërinë “Vatra” ka qenë skënderbegas, dhe se edhe z. Asllan Bushati ish nënkryetar i “Vatrës” ka dalë nga ajo shkollë. Por ju nuk duhet të harroni se këta ish skënderbegas kanë evoluar dhe e kanë kritikuar diktaturën dhe të kaluarën e tyre si kuadro të ushtrisë së shtetit diktatorial. 

Unë në pvrgjigjen time me e-mail uk thashë se gazeta “Dielli” bëri krim që botoi online kronikën për festën që u organizua në komunitetin shqiptar këtu në SHBA. Unë thashë se botimi i atij shkrimi ishte një gabimqë shpie drejt mbrojtjes dhe justifikimit të diktaturës komuniste. Të tilla ceremoni nuk janë gjë tjetër veçse veprime që ndihmojnë për mbajtjen gjallë të nostalgjisë ndaj diktaturës komuniste. Dhe tani, po them se të tilla veprime janë krime. Koha jonë kërkon të mbajmë qëndrim kritik ndaj jetës sonë nën diktaturë.

Nuk mund të mohoj faktin se midis këtyre festuesve, ashtu si dhe midis armatës së komunistëve dhe të ushtarakëve ka pasur njerëz të ndershëm, që u binte bretku duke punuar, por në tërësi Partia Komuniste, Ushtria Popullore dhe Sigurimi i Shtetit ishin armatat që i shërbenin sistemit diktatorial dhe diktatorit dhe jo lirisë dhe të mirës së Shqipërisë. 

Vatra deri sot ka qene nje shoqeri atdhetare kulturore me synime te djathta politike dhe e tillë duhet të mbetet.
 
Asgjë nuk mund t'i justifikojë bashkëpunëtorët e sistemit shtypës diktatorial komunist.

Që të ecim përpara drejt Europës së Bashkuar duhet të mësojmë nga gjermanët: ta dënojmë krimin dhe ish shërbëtorët e regjimit komunist të ulin kokën e të punojnë pa pretenduar se punuan me nder për të mirën e atdheut. Ata punuan për të mirën e diktatorit, për t'ia zgjatur sundimin atij në dëm të popullit.
Kur të tillë njerëz nuk e kuptojnë gabimin dhe krimin që kanë bërë, ne duhet t'u tregojmë se janë në rrugë të gabuar dhe t'i ndihmojmë që të tërhiqen nga krijimi i të tilla organizatave dhe festimi i të tillë përvjetorëveqë nuk ndihmojnë zhvillimin e demokracisë, por vetëm kthim koke me nostalgji nga e kaluara diktatoriale antidemokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat