Haxhi Zeneli, vjen “Me këngë nga vendlindja në Amerikë”

Amerika

Haxhi Zeneli, vjen “Me këngë nga vendlindja në Amerikë”

Më: 12 janar 2018 Në ora: 06:28
Kopertina e librit

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Me këngë nga vendlindja në Amerikë” të autorit Haxhi Zeneli. 

Në libër autori, i cili vetë është këngëtar popullor, trajton rëndësinë e artit dhe muzikës në ruajtjen e ekzistencës së popullit shqiptar në Anën e Malit, Ulqin dhe në trevat tjera shqiptare në Mal të Zi, në një kohë kur çdo gjë në gjuhën shqipe i pengonte pushtetit dhe armiqve të shqiptarëve. 

Ai flet për kontributin e posaçëm të disa këngëtarëve dhe shoqërive kulturore artistike, në vendlindje e më pas në diasporën shqiptare në SHBA, për ruajtjen e folklorit burimor dhe traditave kulturore kombëtare. Duke qenë vetë protagonist i disa ngjarjeve në të kaluarën, ai pasqyron po ashtu përjetimet e veta dhe të shokëve të tij mbi këto ngjarje. 

Një pjesë të veçantë të librit e zënë këngët e dasmave në Anë të Malit dhe disa këngë popullore sipas ahengut shkodran, të cilat Zeneli i këndon me pasion. 

E gjithë kjo punë dhe angazhim i tij, siç thotë autori në hyrje të librit, ka për qëllim përkujdesin ndaj artit dhe kulturës kombëtare. 

Redaktor i librit është dr. Nail Draga, recensentë Isa Alibali dhe Ali Salaj, lektor Sabri Halili, redaktor teknik Gazmend Çitaku, kurse kopertina është punuar nga piktori Agron Ujkashi. Libri është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. 

Haxhi Zeneli ka lindur në Shtodër të Anës së Malit. Shkollën e Lartë Ekonomike e ka kryer në Pejë. Me këngën popullore ka filluar të merret që i ri dhe dallohet për interpretimin e këngëve popullore shkodrane. Në vitin 1982 është pranuar si këngëtar në Radio Prishtina, kurse pas kthimit në vendlindje, për një kohë udhëhoqi SHKA “Buna” – Katërkollë duke ndikuar në gjallërimin e jetës kulturore në Anë të Malit. Në vitin 1985 emigroi në Nju-Jork të SHBA-së, ku jeton dhe punon. Është pjesëmarrës në shumë koncerte, festivale mbarëkombëtare dhe veprimtari të tjera muzikore në vendlindje dhe diasporë. Deri më tani ka inçizuar katër albume me këngë popullore. 

Ky është libri i tij i parë.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 130 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi. 

Ulqin, më 11. 01. 2018 SHAI “Art Club”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat