Nishani takon shqiptarët në Çikago, shtrohet nevoja për një konsullatë në shtetin e Illinoisit

Amerika

Nishani takon shqiptarët në Çikago, shtrohet nevoja për një konsullatë në shtetin e Illinoisit

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 10:43
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në Çikago

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe delegacioni zyrtar u mikprit në mënyrë vëllazërore me shumë ngrohtësi nga bashkatdhetarët shqiptaro-amerikanë të Çikagos në shtetin e Illinoisit.

Në fillim Presidenti dhe Zonja e Parë takuan një nga një drejtuesit dhe anëtarët e rreth 20 shoqatave atdhetare, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në mbarë shtetin e Ilinoisit, drejtuesit e komuniteteve fetare, të cilët i mikpritën me mall dhe dashuri duke u shprehur kërkesën që edhe Diaspora të bëhet pjesë sa më aktive e vendimarrjes si dhe nevojën që edhe në Çikago të hapet një konsullatë e Republikës së Shqipërisë.

Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe përmes tyre mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan të Ilinoisit, Presidenti Nishani theksoi se: “qëllimi kryesor i vizitës në Çikago ishte pikërisht ky takim me ta, për të parë, ndjerë dhe prekur nga afër një komunitet kaq të mrekullueshëm”.

Image

“Ju mbartni me vete, përçoni edhe më tej identitetin kombëtar, atë të të qenit shqiptarë!” – vuri në dukje Presidenti Nishani, teksa shtoi se vlerësonte përpjekjet e bashkatdhetarëve për ndërtimin e familjeve të tyre, sakrificat e bëra si familjarë, si prindër, si qytetarë, në mënyrë që të ndërtojnë edhe aktivitetin komunitar, na bazë të origjinës së gjakut të të parëve të tyre, atë të qenit shqiptarë.

“Mbani gjallë jetën komunitare, ruani zakonet, traditat, kujtimin dhe respektin e të parëve tuaj!” – theksoi Presidenti. – “të nënave dhe baballarëve tuaj, cilët ditën të përballojnë jetën, të ndërtojnë familjet, të rrisin fëmijët dhe njëkohësisht të ruajnë fort identitetin. Një nderim i posaçëm ndaj të gjithë të parëve tuaj!”

Ndërsa foli për historinë e vështirë dhe sakrificat e panumërta për ekzistencë, përpjekje për mbijetesë, mundime dhe sakrifica për të na lënë trashëgim vlerat tona, edhe në kohët më të vështira, Presidenti nënvizoi se përulemi me respekt dhe nderim të thellë ndaj gjithë atyre që luftuan dhe u përpoqën për ekzistencë, liri dhe përparim.

Më tej Kreu i Shtetit shtoi se: “ju jeni me fat që jeni qytetarë të këtij vendi – simbol i lirisë, demokracisë dhe hapësirës së mundësive. Ju jeni kontribuues ehde të këtij vendi kaq të madh – mikut më të ngushtë, aleatit më të madh të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar. I jam mirënjohës këtij vendi për mbështetjen e palëkundur dhënë ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës si dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”.

Image

“Ripërsëris këtu para jush dhe ju garantoj edhe një herë për gjithë gatishmërinë time personale për të punuar maksimalisht me shpirt, zemër dhe mendje në interes të vendit dhe popullit tim!” – u shpreh Presidenti Nishani.

Duke folur shkurtimisht për sfidat që ka përpara vendi ynë, por edhe për potencialet e tij të mëdha për zhvillim ekonomik dhe pasuritë e burimet e pasura natyrore, Presidenti vuri në dukje se ende nuk ka besim për një të ardhme më të mirë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. “Në radhë të parë kjo është përgjegjësia e vendimarrësve për ta kapërcyer këtë sfidë. Sot ka ardhur koha që Diaspora të bëhet pjesë jo vetëm e trajtimit të problemeve, por edhe menaxhimit të tyre. Duhet të rrisim kapacitetet dhe aftësitë menaxheriale e t’i ndërthurim me sukses ato. Kam kërkuar që të ketë një ministri diaspore, në mënyrë që të shërbejë edhe si mekanizëm për tërheqjen e disaporës që ajo të ketë mundësi të japë zgjidhje dhe kontribut. Duhet ushtruar presion pozitiv në këtë drejtim, sepse interesat tuaja janë më të pastrat. Do t’ju lutesha që zëri juaj të ishte edhe më i fuqishëm, edhe më i pranishëm!” – nënvizoi Presidenti, duke shtuar se çështja kombëtare nuk është retorikë, por dinjitet, madje edhe rajoni i Ballkanit është më i paqtë dhe i stabilizuar edhe për shkak të faktorit shqiptar.

Pasi i falënderoi edhe njëherë për praninë e tyre që mbi të gjitha tregonte respekt, Presidenti vuri në dukje se përulej me nderim me që ju “tregoni respekt për vendin e origjinës, për gjakun tuaj, për identitetin tuaj që gjithsekush e ruan me fanatizëm dhe e shpalos në momentet e duhura.”

Presidenti Nishani e përfundoi përshndetjen e Tij duke ju uruar të pranishmëve suksese, shëndet dhe mbarësi në angazhimet e tyre individuale, në shoqatat dhe në komunitet për të përballuar sfidat e ardhshme dhe shënuar arritje të mëtejshme që do të na bëjnë të gjithëve krenarë, por sidomos që do t’ua lemë trashëgim brezave që do të vijnë.

Anëtarët i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan të Ilinoisit vlerësuan Presidentin e Republikës “me mirënjohje për ngritjen e urave me Diasporën”.

Ndërsa fëmijët e Shkollës shqiptare “Kongresi i Manastirit” i dhuruan Presidentit Nishani gjashtë trëndafila të bardhë që simbolizonin dhe përfaqësonin: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Çamërinë dhe Luginën e Preshevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat