Banorët në Florida përballë pasojave të uraganit shkatërrimtar

Amerika

Banorët në Florida përballë pasojave të uraganit shkatërrimtar

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 19:13
Banorët e Floridës

Banorët e Floridës në zonat e goditura nga Uragani Michael kanë filluar të pastrojnë dëmet që la pas stuhia katastrofike e cila solli shira të rrëmbyer, shoqëruar me erëra me shpejtësi 250 km/orë. Uragani la pasoja edhe në shtetet Alabama, Xhorxhia, dhe në Karolinën e Jugut e të Veriut. Dje Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që shpall statusin e katastrofës natyrore në zonat e goditura nga uragani në Florida:

Banorët e qytetit Panama City në Florida e kaluan stuhinë në vendstrehime dhe tani janë kthyer në lagjet e tyre ku përballen me kilometra të tëra shkatërrimi të plotë – shtëpi të rrafshuara, pemë të rrëzuara, shtylla elektriku të dëmtuara – dhe momente personale nga jetë të ndërtuara në këtë qytet të shndërruara në mbetje pa vlerë nga stuhia shkatërrimtare.

“Duket sikur ka rënë bomba. Të gjitha banesat janë në këtë gjendje. Nuk kemi ku të shkojmë,” thotë një banore.

Stuhia la pas pamje të ngjashme në qytetin Mexico Beach ku kaloi uragani para se të lëvizte drejt shteteve Alabama, Xhorxhia, Karolinë e Jugut dhe Karolinë e Veriut.

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që shpall gjendjen e katastrofës natyrore në zonat e goditura në Florida.

“Me lutjet tona jemi pranë atyre që kanë humbur të afërm. Me zemër jemi pranë atyre mijërave që kanë humbur shtëpitë, atyre familjeve të shumta që janë zhvendosur. Po ashtu edhe pranë bizneseve që janë goditur nga ku uragan shkatërrimtar,” tha presidenti.

Garda Kombëtare dhe shërbimet emergjente nga shtete të tjera kanë dërguar ekipe dhe furnizime për të ndihmuar zonat e goditura. Ekipe kërkim-shpëtimi po vizitojnë zonat në Floridën veriore për t’u ardhur në ndihmë personave të bllokuar nga stuhia. Dëme të shumta janë regjistruar edhe në ekonomitë bujqësore.

Nënpresidenti Mike Pence është takuar me zyrtarë të bujqësisë për të diskutuar mbi dëmet:

“U kemi përcjellë personave të prekur një mesazh nga zemrat e amerikaëve: jemi me ju. Do të qëndrojmë përkrah jush jo vetëm në periudhën pas stuhisë, por do t’i mbështesim këto komunitete, përfshirë ekonomitë bujqësore deri kur të rindërtohen më të mëdha, më të mira e më të forta se më parë”.

Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët se mund të duhet të evakuohen, pasi uragani vazhdon të sjellje rreshje dhe ka rrezik përmbytjesh./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat