SHBA, Rosenstein takohet të enjten me Presidentin

Amerika

SHBA, Rosenstein takohet të enjten me Presidentin

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 08:29
Rod Rosenstein

Shtëpia e Bardhë tha se Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein do të takohet me Presidentin Donald Trump të enjten, pas njoftimeve se zyrtari i lartë i Departamentit të Drejtësisë ishte në pritje të largimit nga posti.

Njoftimi vjen disa ditë pas lajmit të gazetës New York Times se vitin e kaluar zoti Rosenstein kishte sugjeruar ta regjistronte fshehurazi Presidentin Donald Trump dhe se kishte ngritur idenë e përdorimit të Amendamentit të 25 për shkarkimin e Presidentit si i paaftë për të qeverisur.

Zoti Rosenstein e mohoi njoftimin e gazetës javën e kaluar.

Sot, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders bëri të hënën këtë deklaratë: "Me kërkesën e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, ai dhe Presidenti Trump kanë patur një bisedë të gjerë për të diskutuar mbi njoftimet e fundit. Për shkak se Presidenti është në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ka takime të shumta me udhëheqës nga e gjithë bota, ata do të takohen të enjten, kur Presidenti të kthehet në Uashington.”

Disa njoftime në mediat amerikane thanë se zoti Rosenstein kishte diskutuar për dorëheqjen ndërsa sipas disa të tjerave, ai refuzon të largohet nëse nuk shkarkohet.

Pas njoftimit të së premtes zoti Rosenstein tha: "Lajmi i gazetës New York Times është i pasaktë dhe jokorrekt përsa u përket fakteve. Nuk dua të komentoj më shumë për një artikull të bazuar në burime anonime të cilat janë të anshëm ndaj Departamentit të Drejtësisë dhe avancojnë axhendën e tyre personale. Më lejoni të jem i qartë: në bazë të marrëdhënieve personale me Presidentin, nuk ka asnjë bazë për t’iu referuar Amendamentit të 25-të".

Amendamenti i 25-të përcakton procesin me të cilin zëvendëspresidenti dhe shumica e kabinetit shkarkon presidentin nga detyra nëse ai ose ajo nuk është në gjendje të kryejë detyrat zyrtare.

Zoti Rosenstein më vonë bëri një deklaratë të dytë duke mohuar akuzat me terma edhe më të forta: "Unë kurrë nuk kam kërkuar ose autorizuar regjistrimin e Presidentit dhe çdo sugjerim se jam përpjekur ndonjëherë për heqjen e Presidentit është absolutisht i rreme".

Një burim i cili ishte në dhomë kur zoti Rosenstein bëri komentin për regjistrimin e presidentit, tha në një deklaratë për Zërin e Amerikës se komentet ishin bërë në formë shakaje. Burimi tha se "nuk u diskutua asnjëherë për ndonjë synim për të regjistruar ndonjë bisedë me presidentin".

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm mbikqyr hetimin e Prokurorit të Posaçëm lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës. Nëse ai shkarkohet ose jep dorëheqjen, kjo do të kishte ndikim për çështjen se kush do ta mbikqyrte hetimin për Rusinë./Voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat