Christine Blasey Ford pranon të dëshmojë në Senat lidhur me akuzat ndaj Brett Kavanaugh

Amerika

Christine Blasey Ford pranon të dëshmojë në Senat lidhur me akuzat ndaj Brett Kavanaugh

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 09:00
Senati amerikan

Christine Blasey Ford, gruaja që e akuzon të emëruarin e Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, për sulm seksual, ka pranuar të dëshmojë para Senatit për këtë çështje javën e ardhshme.

Kreu i Komisionit Juridik të Senatit, republikani Chuck Grassley, të premten i dha më tepër kohë zonjës Ford, që ajo të merrte një vendim në se do të dëshmonte para Senatit për këtë çështje.

Christine Blasey Ford, e ka akuzuar zotin Kavanaugh për sulm seksual, kur ata ishin të dy adoleshentë në vitet 1980. Kavanaugh i ka mohuar akuzat.

Republikanët duan të dëgjojnë nga profesorja Ford dhe kandidati Kavanaugh rreth sulmit seksual të supozuar.

Image
Brett Kavanaugh

Lojë politike?

Por ata ndjejnë gjithashtu një lojë politike të demokratëve, tha senatori Mitch McConnell.

"Demokratja numër dy e Komisionit Juridik e dinte prej kohe çështjen, por e nxorri atë pikërisht tani. Është shumë e qartë se kjo u bë e gjitha për vonimin e procesit".

Për shumë njerëz, beteja për çështjen Kavanaugh është një tjetër kapitull që tregon se si polarizimi i politikës po paralizon Uashingtonin.

Ja ç’thotë analisti konservator Jamil Jaffer.

"Kjo është për të ardhur keq, sepse Gjykata e Lartë duhet të jetë imune ndaj këtyre gjërave. Ne duhet të konfirmojmë si anëtarë të saj njerëz që marrin 90 vota e lart në Senatin me 100 vende dhe t’i lemë të bëjnë punën, pra të mos vendosin politikisht por në bazë të ligjit.”

Qëndrimi i Presidentit Trump

Presidenti Trump e vuri në pikëpyetje integritetin e zonjës Ford që akuzon për një sulm seksual disa dekada më parë kandidatin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh.

Në një postim të bërë të premten në Twitter, zoti Trump shkruante se "nëse sulmi do të kishte qenë aq i rëndë sa e përshkruan ajo, akuzat do t’i ishin paraqitur menjëherë policisë”. Gruaja në fjalë, Christine Blasey Ford, thotë se Kavanaugh e ka sulmuar seksualisht 36 vjet më parë gjatë një feste në një shtëpi.

Presidenti Trump akuzoi gjithashtu "politikanët radikalë të krahut të majtë", siç i quajti ai, që sulmojnë gjyqtarin Kavanaugh.

Avokatët e zonjës Ford thonë se ajo dëshiron të dëshmojë përpara një komisioni të Senatit javën e ardhshme, por vetëm nëse siguria e saj është e garantuar.

Avokatja e saj, Debra Katz tha se klientja e saj ka marrë kërcënime me vdekje dhe se zonja Ford bashkë me familjen janë detyruar të largohen nga shtëpia e tyre në Kaliforni. Media amerikane thotë se edhe zoti Kavanaugh ka marrë kërcënime me vdekje./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat