Pres. Trump, pikëpyetje mbi akuzat ndaj Kavanaugh

Amerika

Pres. Trump, pikëpyetje mbi akuzat ndaj Kavanaugh

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 17:37
Donald Trump

Presidenti i SHBA Donald Trump e vuri në pikëpyetje integritetin e gruas që akuzon për një sulm seksual disa dekada më parë kandidatin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh.

Në një postim të bërë sot në Twitter, zoti Trump shkruante se "nëse sulmi do të kishte qenë aq i rëndë sa e përshkruan ajo, akuzat do t’i ishin paraqitur menjëherë policisë”. Gruaja në fjalë, Christine Blasey Ford, thotë se Kavanaugh e ka sulmuar seksualisht 36 vjet më parë gjatë një feste në një shtëpi.

Presidenti Trump akuzoi gjithashtu "politikanët radikalë të krahut të majtë", siç i quajti ai, që sulmojnë gjyqtarin Kavanaugh.

Avokatët e zonjës Ford thonë se ajo dëshiron të dëshmojë përpara një komisioni të Senatit javën e ardhshme, por vetëm nëse siguria e saj është e garantuar.

Avokatja e saj, Debra Katz tha se klientja e saj ka marrë kërcënime me vdekje dhe se zonja Ford bashkë me familjen janë detyruar të largohen nga shtëpia e tyre në Kaliforni. Media amerikane thotë se edhe zoti Kavanaugh ka marrë kërcënime me vdekje.

Kreu i Komisionit Juridik të Senatit, republikani Chuck Grassley, ka planifikuar një seancë dëgjimore për të hënën, që zonja Ford dhe gjykatësi Kavanaugh të dalin publikisht për të treguar versionet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat