Fati i kandidatit për Gjykatën e Lartë, në duart e një Senati të ndarë

Amerika

Fati i kandidatit për Gjykatën e Lartë, në duart e një Senati të ndarë

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 23:02
Brett Kavanaugh

Senati amerikan mbetet i ndarë lidhur me fatin e kandidatit për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh. Zoti Kavanaugh ka mohuar një akuzë nga Christine Blasey Ford se ai e kishte sulmuar seksualisht kur ishin adoleshentë në vitet 1980. Zonja Ford dhe demokratët e opozitës po kërkojnë një hetim të FBI-së për ngjarjen para se ajo të dëshmojë para Komisionit Juridik të Senatit, ndërsa Presidenti Donald Trump dhe Republikanët e Senatit deri tani nuk e kanë pranuar një gjë të tillë.

Presidenti Trump ka shprehur mbështetjen për kandidatin që ka propozuar për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh.

“Është shumë e vështirë për të dhe për familjen e tij dhe duam që kjo çëshje të zgjidhet. Në të njëjtën kohë ne duam të japim gjithë kohën e nevojshme. Do të ishte shumë mirë që ajo të vinte. Do të ishte për të ardhur keq nëse nuk vjen”, - tha presidenti Trump.

Profesore Christine Blasey Ford është ftuar të dëshmojë të hënën para Komisionit Juridik të Senatit.

Por ajo do që fillimisht FBI-ja të hetojë akuzën e saj se zoti Kavanaugh e kishte sulmuar seksualisht kur ishin adoleshentë në vitet 1980.

Prof. Ford ka mbështetjen e demokratëve të Senatit, mes së cilëve Kirsten Gillibrand e Nju Jorkut.

“Fakti që asaj i duhet të mbrojë fëmijët e saj nga kërcënimet me vdekje dhe gjithë këto komente në internet kundër saj, mendoj se është pikërisht arsyeja se pse të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk flasin”, - tha ajo.

Profesorja e së Drejtës, Anita Hill është mes atyre që po kërkojnë një hetim të plotë.

Në vitin 1991, zonja Hill akuzoi kandidatin e atëhershëm për Gjykatën e Lartë, Clarence Thomas për ngacmime seksuale, megjithëse Thomas përfundimisht u konfirmua me një shumicë të lehtë.

“Nuk ka arsye se pse të nxitohen dhe të japin një afat prej gjashtë ditësh. Publiku amerikan do që të dijë se çfarë ndodhi dhe do të sigurohet që Senati e merr këtë çështje seriozisht”, - tha ajo.

Republikanët janë ankuar se akuza e Profesores Ford ka ardhur pas seancave të gjata dhe të tensionuara, ku zoti Kavanaugh kishte marrë pyetje nga të dyja palët.

Ja ç’thotë republikani nga Dakota e Jugut, John Thune.

“Gjykatësi Kavanaugh u është përrgjigjur 1300 pyetjeve me shkrim dhe është takuar me 65 senatorë gjatë këtyre dy muajve dhe kjo letër nuk është përmendur asnjëherër deri javën e kaluar”.

Senatorja republikane, Lisa Murkowski thotë se është e rëndësishme që të dëgjohen si zonja Ford ashtu edhe zoti Kavanaugh.

“Shpresoj që procesi të kryhet me respekt dhe dinjitet për të gjithë”, tha ajo.

Në përgjigje të pyetjes nëse akuzat janë të besueshme, ajo tha se beson se pikërisht për këtë arsye ekziston një proces.

Analisti ligjor Paul Schiff Berman thotë se kjo çështje që po debatohet ashpër e ka vënë në rrezik emërimin e zotit Kavanaugh për postin në Gjykatën e Lartë, që do të ishte i përjetshëm.

“Dhe mendoj se kjo akuzë do të konsolidojë kundërshtimin e demokratëve ndaj emërimit të zotit Kavanaugh dhe duke pasur parasysh që republikanët kanë një epërsi fare të lehtë në senat, nëse vetëm një numër fare i vogël senatorësh republikanë voton kundër, ai nuk do ta merrte emërimin”, - thotë ai.

Zoti Kavanaugh është kandidat për të zëvendësuar gjyqtarin, Anthony Kennedy që doli në pension. Konfirmimi i tij do të përforconte një shumicë konservatore në Gkykatën e Lartë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat