"Biologjia" e bindjeve politike - Bota Sot
"Biologjia" e bindjeve politike

Amerika

E mërkurë, 26 shtator 2018

"Biologjia" e bindjeve politike

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 16:56
Trump dhe Clinton

Në Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet e mesmandatit në nëntor do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit. Në mjedisin e sotëm shumë të polarizuar politik, mbështetësit republikanë dhe demokratë po mbrojnë qëndrimet e tyre mbi çështjet kyçe, dhe debati ka pak të ngjarë për t'i bindur të ndryshojnë mendim. Ky është problem në një qeveri që mbështetet tek kompromisi. Analistët e shkencave sociale thonë se amerikanët po bashkohen në grupe me mendime të ngjashme. Tani neuroshkenca mund të ndihmojë të shpjegojë arsyen përse njerëzit rrallë ndryshojnë mendjet e tyre në besimet që kanë të ngulitura, edhe kur përballen me fakte.

Nga Greqia e lashtë e deri në themelimin e Amerikës dhe më gjerë, çdo demokraci mbështetet në parimin e dhënies dhe marrjes, thotë neuroshkencëtari Jonas Kaplan në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

"... biseda mund të ndryshojë mendjen, dhe nëse diskutojmë idetë me njëri-tjetrin, mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të përshtasim besimet tona".

Por për çështjet e debatueshme si martesat e homoseksualëve apo kontrolli i armëve - bisedat rrallë ndryshojnë bindjet.

Kaplan donte të mësonte se çfarë ndodh në trurin tonë që e bën ndryshimin e mendimeve tona kaq të vështirë.

Ekipi i tij studioi njerëzit duke përdorur një skaner të trurit.

"Iu treguam në një ekran fillimisht një deklaratë që e dinim se e besonin. Dhe pas kësaj u treguam një seri prej pesë deklaratash që sfidonin besimet e tyre".

Ekipi më pas testoi në se njerëzit kishin ndryshuar mendim.

Ata zbuluan ndryshime mes trurit të njerëzve që ndryshuan mendim dhe atyre që nuk ndryshuan – në rajonet e trurit përgjegjëse për emocionet.

Ajo që zbuluam është se njerëzit që aktivizuan më shumë rajonet emocionale të trurit, kishin më pak gjasa të ndryshonin mendjet e tyre".

Njerëzit më kokëfortë patën aktivitetin më të madh në amigdalë, pjesa e trurit që reagon ndaj frikës, kërcënimeve dhe emocioneve të tjera të forta, si dhe në korteksin insular, i cili merr parasysh ndjenjat në trupat tanë kur marrim vendime.

Këto sisteme evoluan për të na mbrojtur, thotë Kaplan.

"Korteksi insular mbështet ndjenjat e neverisë që mund të ndjejmë kur shohim për shembull ushqim të prishur. Tani po i shohim këto sisteme të ri-pozicionohen për të na mbrojtur nga llojet e reja të kërcënimeve - kërcënime që janë më abstrakte. Në këtë rast, është informacioni që truri mendon se mund të jetë i dëmshëm për ne ".

Kaplan thotë se për shumë njerëz, bindjet politike janë një pjesë e rëndësishme e atyre që ata janë dhe cilët quajnë miq dhe aleatë të tyre.

"Kjo tregon sesa e vështirë është të ndryshosh mendimin e dikujt. Ndryshimi i një besimi të veçantë në lidhje me politikën mund të ketë të bëjë jo vetëm me ndryshimin e besimit, por mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Si do të mendojnë njerëzit tani për mua? "

Emocionet luajnë rol në gjykimin tonë kur mësojmë një informacion të ri. Por Kaplan shton se ato gjithashtu mund të pengojnë për të marrë vendime të duhura.

"Duke qenë të vetëdijshëm se si ndihemi dhe si këto ndjenja ndikojnë në mënyrën se si po i përgjigjemi një informacioni, kjo mund të na ndihmojë".

Në mjedisin e sotëm tepër të polarizuar, kjo mund të jetë më e vështirë dhe më e rëndësishme për votuesit, sesa zakonisht./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test