Senatorja Warren kërkon reforma kundër korrupsionit

Amerika

Senatorja Warren kërkon reforma kundër korrupsionit

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 18:25
Senatorja amerikane Elizabeth Warren

Senatorja amerikane Elizabeth Warren ka propozuar një paketë reformash për të luftuar korrupsionin qeveritar, që parashikon kufizime të reja për lobimin, rregullat për kompanitë financiare, deklarimin e pasurisë nga zyrtarët si dhe masa për transparencë, me qëllim informimin më të mirë të publikut lidhur me mënyrën se si hartohen politikat.

Senatorja demokrate tha se ndryshimet do t’i jepnin zgjidhje asaj që ajo e quajti pjesa më e turpshme “se si paraja ndikon në Uashington", teksa foli të martën në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington.

Ndër propozimet e saj është që agjencia e taksave të publikojë deklaratat tatimore të kandidatëve për president dhe zëvendëspresident, kandidatëve për në Kongres si dhe atyre bizneseve apo grupeve jofitimprurëse nëpërmjet të cilëve kandidatët veprojnë.

Për kandidatët për president ose zëvendëspresident, deklaratat duhet t’u përkasintetë viteve të fundit.

Aktualisht këto dokumente janë private dhe agjencia e taksave nuk i bën ato publike. Kandidatët munden dhe shpesh e bëjnë publikimin e tyre. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, kur Donald Trump ishte ende kandidat, ai nuk publikoi asnjë nga deklaratat e tij tatimore. Rivalja e tij, demokratja Hillari Klinton ofroi të sajat duke përfshirë deklarimet nga viti 2007 në 2015-n.

Zonja Warren u përqendrua tek roli që lobistët luajnë në vendimet që merr qeveria amerikane me vëmendje të posaçme ndaj të ashtuquajturës "politikë e riciklimit" praktika sipas së cilës ish-zyrtarë të zgjedhur dhe anëtarë të stafit shkojnë për të punuar për kompani duke përdorur njohjet dhe ndikimin e tyre për t’i dhënë formë rregullave dhe legjislacionit.

Ajo bëri thirrje për ndalim të përjetshëm për presidentët, zëvendëspresidentët, ligjvënësit, gjykatësit federalë dhe sekretarët e kabinetit qeveritar, që të punojnë si lobistë si dhe për të mos lejuar që punonjësit e tjerë të qeverisë të lobojnë për të paktën dy vjet pas largimit nga puna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat