Trump sulmon përsëri Prokurorin e Posaçëm Mueller

Amerika

Trump sulmon përsëri Prokurorin e Posaçëm Mueller

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 20:05
Presidenti i SHBA Donald Trump

Presidenti i SHBA Donald Trump sulmoi hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke e quajtur "një turp kombëtar".

Zoti Trump e filloi javën e punës të hënën me një varg sulmesh kundër hetimit të zotit Mueller, duke u ankuar se prokurori "është dikush që thjesht po kërkon probleme" dhe se po përpiqet të gjejë nëse Presidenti Trump ka penguar drejtësinë.

Presidenti e quajti zotin Mueller “njeri të diskredituar" dhe tha se "krejt grupi i tij i Banditëve Demokratë të Zemëruar” kishte intervistuar për 30 orë rresht juristin e Shtëpisë së Bardhë Donald McGahn. Ai tha se intervista ishte bërë me miratimin e tij dhe “për qëllime transparence”.

Por agjencitë e lajmeve njoftuan se zoti Trump dhe avokatët e tij personalë nuk e dinë përmbajtjen e plotë të asaj që juristi i tha ekipit hetues të zotit Mueller.

Presidenti Trump shkruante të hënën në Twitter: "Ata janë duke shijuar rrënimin e jetës së njerëzve dhe refuzojnë të shohin korrupsionin e vërtetë në anën Demokrate - gënjeshtrat, shkarkimet, emailat e fshirë dhe shumë e shumë të tjera! Demokratët e Zëmëruar të Muellerit po kërkojnë të ndikojnë në zgjedhjet."

Ai u referohej zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongresin dhe gara të tjera.

"Ku është bashkëpunimi i fshehtë?" pyeste zoti Trump. "Ata krijuan një krim të rremë të quajtur ‘bashkëpunimi i fshehtë’, dhe kur u pa se nuk kishte një bashkëpunim i tillë, ata thanë se kishte pengim drejtësie (për një krim të rremë që nuk ekzistonte).”

Hetuesit e zotit Mueller kanë zbuluar disa raste kontaktesh të fushatës Trump me Rusinë, duke përfshirë një takim në mes të vitit 2016 në Kullën Trump në Nju Jork, ku djali i zotit Trump, Donald Trump, Jr, u takua me një grua që thuhej se ishte avokate e qeverisë ruse që do ofronte materiale inkriminuese kundër kandidates demokrate Hillary Clinton. Nga takimi nuk doli asnjë informacion i tillë kundër zonjës Clinton.

Kur lajmi i takimit u publikua pasi zoti Trump u bë president, ai diktoi një deklaratë rreth bisedimeve, duke pretenduar se ato kishin lidhje me çështjen e birësimit të fëmijëve rusë. Kohët e fundit, presidenti ka thënë se fjala ishte për një takim politik rutinë - hulumtim rreth një kundërshtari zgjedhor - dhe se ai nuk kishte dijeni paraprakisht.

Zoti Trump gjithashtu përsëriti sulmet ndaj ish drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, John Brennan, pasi atij iu hoq certifikata e sigurisë kombëtare javën e kaluar. Presidenti Trump e quajti zotin Brennan "drejtorin më të keq të CIA-s në historinë e vendit".

Zoti Trump tha se shpreson që Brennan ta verë në jetë kërcënimin e tij për të ngritur padi për të mbrojtur të tjerët nga humbja e certifikatës së sigurisë, sepse kështu, - tha ai, - "do të jetë shumë e lehtë për të nxjerrë të gjitha shënimet, tekstet, emailet dhe dokumentet e tij që tregojnë jo vetëm punën e dobët e bërë prej tij, por edhe se si ai ka qenë i përfshirë në Gjuetinë e Shtrigave të ndërmarrë nga zoti Mueller. Ai nuk ka për të ngritur padi,”, shkruante Presidenti Trump.

Ditët e fundit, rreth 200 ish zyrtarë të sigurisë kombëtare, zyrtarë të Pentagonit dhe të Departamentit të Shtetit i kanë dalë në mbrojtje zotit Brennan.

Presidenti Trump, megjithatë, nuk i ka përfillur komentet e tyre të favorshme për zotin Brennan, duke thënë: "Gjithkush dëshiron të mbajë certifikatën e sigurisë kombëtare, sepse ajo është diçka që ka vlerën e një prestigji të madh dhe paguhet shumë, prandaj disa njerëz po i dalin në mbrojtje Brennanit dhe jo për shkak të punës së mirë që ka bërë! "

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat