Refugjatja e parë nga Afrika drejt Kongresit amerikan

Amerika

Refugjatja e parë nga Afrika drejt Kongresit amerikan

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 22:37
Ilhan Omar

Ligjvënësja e shtetit të Minesotës, 35 vjeçarja Ilhan Omar, është një hap më pranë hyrjes në histori, si refugjatja e parë nga kontinenti i Afrikës dhe gruaja e dytë myslimane që zgjidhet në Kongresin amerikan. Refugjatja nga Somalia po përpiqet të zëvendësojë Keith Ellison, myslimanin e parë amerikan në Kongres, i cili aktualisht përfaqëson distriktin liberal të Mineapolisit, që mbështet demokratët. Mbështetësit e zonjës Ilhan Omar shpresojnë që ajo të ketë ndikim në debatin për imigracionin dhe në politikën e jashtme amerikane.

Fitorja historike të Ilhan Omarit në zgjedhjet paraprake për të përfaqësuar Distriktin 5 të Minesotës në Kongresin amerikan, u realizua bazuar mbi një mesazh të thjeshtë.

“I përkas gjeneratës së mijëvjeçarit dhe kam borxhe studentore....unë jam refugjate dhe qiramarrëse.”

Mesazhi ishte se ajo i kupton të rinjtë, votuesit liberalë që përbëjnë një pjesë të madhe të distriktit të saj. Ishte një mesazh që solli fitore në 2018 dhe dy vjet më parë, kur fitori zgjedhjet e para në legjislaturën e shtetit. Khalid Mohamed është votues somalezo-amerikan.

“Para Ilhan, shumë prej nesh nuk e dinin se çfarë qeverisjeje kishim, por me zgjedhjen e saj, shumë prej nesh kemi filluar t’i kushtojmë vëmendje.”

Votuesi Khalid Mohamed pajtohet me synimet e zonjës Omar për të rritur pagën minimale federale dhe reduktuar borxhin e studentëve. Ai ishte një prej mijëra somalezo-amerikanëve që votoi në zgjedhjet paraprake. Por profesori i Shkollës Humphrey për Marrëdhëniet me Publikun në Universitetin e Minesotës, Larry Javobs, thotë se votat somalezo-amerikane janë vetëm një pjesë e suksesit të zonjës Omar.

“Votat e somalezo-amerikanëve nuk janë të mjaftueshme për fitoren dhe sidomos në një garë ku votat ndahen me një tjetër kandidat somalez. Për herë të dytë zonja Omar ka arritur të ndërtojë një koalicion të gjerë që përfshin njerëz progresivë, që pajtohen me politikat e Bernie Sanders dhe nga ata që besojnë se Partia Demokrate duhet të bëhet më e larmishme dhe të mirëpresë zëra të rinj.”

Zërat e rinj që kanë sfida të vjetra dhe të reja për t’u përballur:

“Tani jam e përgatitur për t’u organizuar kundër një administrate që po përdor politikat e frikës për të nxitur axhendat e tyre përçarëse dhe shkatërrimtare, në një kohë kur vendi ynë është në një udhëkryq të rrezikshëm”, thotë Ilhan Omar.

Aktualisht ajo është udhëheqëse e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Minesota dhe kundërshton ndarjet e familjeve në kufi; ajo është kritike e administratës së Presidentit Trump për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Amerikë.

Votuesi Khalid Mohamed shpreson se eksperienca personale e zonjës Omar do të ndikojë tek debati në Kongresin amerikan për politikat e imigracionit.

“Ajo ka përjetuar luftën e të qënit refugjat dhe procesin e verifikimit, diçka që Donald Trump nuk e ka kuptuar mirë.”

Ai shpreson që zgjedhja e zonjës Omar shërben si mesazh jo vetëm tek një komunitet i madh fetar, por në të gjithë kontinentin.

“Është arritje e madhe për kontinentin, nëse ajo bëhet ligjvënësja e parë në Kongresin amerikan që ka lindur në Afrikë....mund të kesh qënë refugjate, dhe mund të kesh ardhur këtu si emigrante, por ke të drejta....mund të bëhesh çfarë të duash nëse punon në atë drejtim.”

Kjo punë fillon për zonjën Omar pas zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit, që ka gjasa të fitojë, ndërsa rajoni që ajo kërkon të përfaqësojë ka prirje të fuqishme pro kandidatëve demokratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat