Trump sulmon donatorët e pasur të politikës amerikane

Amerika

Trump sulmon donatorët e pasur të politikës amerikane

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 18:12
Presidenti Trump

Presidenti Trump sulmoi rishtazi nëpërmjet Twitter-it miliarderin donator të republikanëve, Charles Koch duke rikthyer kështu vëmendjen ndaj influencës së donatorëve të pasur në politikën amerikane.

Këtë javë pati një tjetër sulm në Twitter nga Presidenti Trump. Objektivi ishte Charles Koch, një ndër mbështetësit më të pasur të kandidatëve republikanë. Gjatë një takimi në shtetin Kolorado, zoti Koch kritikoi politikat tregtare të administratës Trump.

“Kur njerëzit veprojnë në mënyra proteksioniste, ata ngrenë barriera që janë keq për të gjithë”, u shpreh zoti Koch.

Tregtia është një pikë fërkimi e fortë mes Presidentit Trump dhe zotit Koch, në veçanti lufta e tarifave që po zhvillohet mes Uashingtonit dhe partnerëve tregtarë, sidomos me Kinën.

“Presidenti dhe 15 drejtues të administratës së tij kanë thënë vazhdimisht se do të dëshironin ndaljen e praktikave të padrejta tregtare. Por, derisa të ndodhë kjo, Presidenti do t’ua mbajë shputat mbi zjarr. Ai do të vazhdojë presionin ndaj Kinës”, deklaroi Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Lufta Trump – Koch nxjerr në pah influencën e donatorëve të pasur në politikën amerikane. Rrjeti Koch, një burim shumë i madh mbështetje financiare, është i përbërë nga një grup organizatash që përgjithësisht mbështesin politikat e republikanëve për më pak taksa dhe më pak ligje shtrënguese. Për zgjedhjet e mesmandatit të muajit nëntor, rrjeti Koch planifikon të shpenzojë deri në 400 milionë dollarë.

“Njëqind donatorët kryesorë përballojnë rreth 3/4-tat e fondeve që shkojnë drejt vetëm njëqind individëve”, shpjegon Robert Weissman, president i “Public Citizen”.

Zoti Weissman dhe aktivistë të tjerë besojnë se korporatat dhe individët e pasur, si zoti Koch, influencojnë në mënyrë disproporcionale zgjedhjet amerikane në interes të axhendës së tyre.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara financohen publikisht dhe privatisht. Kontributet private për fushatat elektorale jepen nga individë dhe grupe, si korporatat dhe sindikatat.

Megjithëse është e jashtëligjshme t’i jepen fonde drejtpërsëdrejti një kandidati, individë donatorë lejohet t’i japin deri në 2700 dollarë organizatës së kandidatit, si dhe mund të japin pothuajse fonde pa limit nëpërmjet komiteteve të aksionit politik.

Nëse një kandidat fiton, pritshmëria është që kandidati do të mbështesë politikat e axhendës së donatorit, megjithëse nuk ndodh gjithnjë kështu.

“Pasi zgjidhen, e kanë mendjen tek zgjedhjet e ardhshme. Dhe mendojnë si të kënaqin donatorët e pasur që ua mundësuan postin dhe të cilët mund edhe t’i heqin nëse nuk kënaqen interesat e tyre”, thotë zoti Weissman.

Ky sistem, të cilin kritikët e quajnë “paguaj që të marrësh pjesë në lojë” është krejtësisht i ligjshëm, në veçanti pas një vendimi të Gjykatës së Lartë në vitin 2010, të njohur si çështja e “Qytetarëve të bashkuar”. Gjykata vendosi se korporatat kanë të njëjtat të drejta politike të lirisë së fjalës ashtu si individët, dhe se nuk duhet të ketë kufizime ndaj fondeve që ato shpenzojnë për të mbështetur apo denoncuar kandidatët në zgjedhje.

Që nga ky vendim, shumat e kanalizuara nëpërmjet komiteteve të aksionit politik nga grupe si rrjeti Koch, kanë përjetuar një rritje drastike./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat