Reformë kushtetuese në Kubë, do të njihet prona private

Amerika

Reformë kushtetuese në Kubë, do të njihet prona private

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 09:18
Kubë

Kuba do të njohë zyrtarisht pronën private për herë të parë, falë Kushtetutës së re që përfshin një numër të shumtë ndryshimesh, sipas asaj që informojnë mediet shtetërore. Shitja e pronave u ndalua me ligj pas ardhjes në pushtet të Fidel Castros në vitin 1959, por u lejua pas ndryshimit të ligjit në vitin 2011.

Kushtetuta e re e shtetit të drejtuar nga komunistët do të riafirmojë faktin se planifikimi qendror dhe ndërmarrjet shtetërore janë kyçe për ekonominë. Ajo pritet të miratohet përmes një votimi në Asamblenë Kombëtare javën e ardhshme.

Draftkushtetuta do të kërkojë gjithashtu edhe votën popullore përmes një referendumi, për miratimin përfundimtar të saj në pjesën e mbetur të këtij viti. Nëse ajo kalon, do të zëvendësojë Kushtetutën aktuale që u miratua nga Partia Komuniste në vitin 1976.

Bazuar në reformat e propozuara, Partia Komuniste do të mbetet forca politike dominuese në Kubë, por presidentët do të kufizohen me dy mandate 5-vjeçare radhazi, ndërsa pushteti politik do të ndahet mes presidentit dhe kryeministrit.

Me Kushtetutën e re do të ndalohet diskriminimi mbi baza gjinie, origjine etnike apo paaftësie. Grupet LGBT shpresojnë që të legalizohet edhe martesa mes të njëjtit seks.

Që prej vitit 2010, Kuba ka ndërmarrë një seri reformash tregtare, me synimin për të forcuar ekonominë e vendit ishullor.

Asambleja Kombëtare ka propozuar një seri reformash kushtetuese muajin e kaluar, përfshi edhe kufizimin e mandateve presidenciale dhe legalizimin e martesave gay, teksa vendi pritet të përcaktojë edhe të ardhmen politike.

Reforma e fundit kushtetuese e vitit 2002 dekretoi se, karakteri socialist i sistemit politik në Kubë ishte i parevokueshëm. Presidenti Miguel Diaz-Canel njoftoi muajin e kaluar se ish-presidenti Raul Castro do të udhëheqë reformat potenciale. Diaz-Canel mori frerët e pushtetit nga Castro gjatë muajit prill, ndërkohë që vëllezërit Castro, me Fidelin fillimisht dhe Raulin më pas, sunduan vendin mes viteve 1959 dhe 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat