Trump kritikon administratën Obama se nuk bëri sa duhet për ndërhyrjen ruse

Amerika

Trump kritikon administratën Obama se nuk bëri sa duhet për ndërhyrjen ruse

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 07:38
Putin dhe Trump

Presidenti Donald Trump kritikoi të shtunën administratën Obama, që nuk i është përgjigjur me ashpërsinë e duhur Rusisë në sulmet kibernetike ndaj demokratëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Përgjigja e parë e zotit Trump ndaj akuzave që ngriti të premten Prokurori i Posaçëm Robert Mueller kundër zyrtarëve rusë, për ndërhyrje në politikën amerikane, erdhi përmes disa twiterave që Presidenti Trump shkroi nga rezorti i golfit në Skoci, ku ai ndodhet, dy ditë para takimit të tij në Finlandë me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Historitë që ju dëgjuat dje për 12 rusët kanë ndodhur gjatë administratës Obama, jo gjatë administratës Trump. Përse nuk u bë asgjë për këtë çështje, kur Presidenti Obama u njoftua nga agjentët e FBI-së në shtator, para zgjedhjeve?'' – shkruante zoti Trump.

Në aktpadinë që u njoftua të premten për 12 zyrtarët rusë, thuhet se rusët kishin ndërhyrë në sistemet kompjuterike të fushatës presidenciale të Hillary Clintonit dhe se kishin publikuar dhjetra mijëra komunikime private, në kuadrin e një komploti më të gjerë të Kremlinit, për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, që përfundoi me ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë thënë se Moska synonte të ndihmonte ardhjen në pushtet të zotit Trump dhe të minonte zonjën Clinton.

Gjatë javës së tij në Europë, i pyetur në se do ta ngrinte çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane, Presidenti Trump tha se “me siguri që kam për ta ngritur këtë çështje në takimin me zotin Putin”.

Pas komenteve të zotit Trump, disa senatorë demokratë i dërguan atij të shtunën një letër, ku i kërkonin “ta anuloni takimin me zotin Putin, në se nuk jeni i përgatitur ta bëni sulmin rus ndaj zgjedhjeve amerikane çështjen kryesore të diskutimeve”.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, u shpreh se ai ka besimin se takimi i Helsinkit “do ta fuqizojë pozicionin e Amerikës, prandaj takimi është shumë i rëndësishëm,”- tha ai./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat