Slab City – jeta jashtë infrastrukturës së qytetit

Amerika

Slab City – jeta jashtë infrastrukturës së qytetit

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 22:01
Slab City

Sot ,gjithnjë e më shumë amerikanë e kanë të vështirë të përballojnë kostot e larta të jetesës në qytete. Disa preferojnë të jetojnë larg tyre, jashtë infrastrukturës, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Një nga destinacionet e preferuara për këta njerëz është Slab City në shkretëtirën Sonoran të Kalifornisë. Banorët e tij janë artistë, pensionistë, hipi, të varfër, shtegëtarë dhe anarkistë. Ata shkojnë aty për një farë kohe ose kanë jetuar përgjithmonë në Slab City që nga vitet 1960.

Ky qytet në shkretëtirë, ndonjëherë quhet vendi më i lirë në Shtetet e Bashkuara, pasi pothuajse gjithçka këtu është falas. Çdokush mund të vijë këtu, të rrethojë një copë toke dhe ta quaj atë shtëpi. Por të mbijetosh këtu mund të jetë më e vështirë.

Slab City nuk është më shumë se disa kilometra katrorë. Nuk ka energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo kanalizime. Askush nuk vjen këtu për të mbledhur plehrat. Por ai është ende një qytet - me bibliotekën, hotelin, kafenenë e internetit, klubin e natës dhe madje edhe një varrezë për kafshët shtëpiake.

Qyteti ishte bazë ushtarake në vitet 1940, derisa baza u mbyll në mes të viteve 1960. Qysh atëherë vendi u bë një destinacion popullor për amerikanët në pension që vinin këtu me rimorkio makinash dhe qëndronin për të kaluar dimrin. Më vonë atyre iu bashkuan edhe të tjerë, të cilët e shihnin jetën e qytetit si shumë të shtrenjtë.

Slab City është në pronësi të shtetit të Kalifornisë. Megjithë dëshirën për ta shitur, shteti nuk mund ta mbyllë qytetin apo të dëbojë banorët e tij, pasi atëherë do të jetë përgjegjës për zhvendosjen e tyre. Pra, qyteti mbetet i paprekur; një qytet ku as taksat, as qiraja nuk paguhen.

Shannon dhe familja e saj u zhvendosën aty nga Rhode Island në vitin 2011 në kërkim të një klime më të butë dhe një jete më të lirë. Ata janë një nga familjet e pakta që jetojnë këtu gjatë gjithë kohës, pavarësisht nga moti i nxehtë i papërballueshëm në verë.

"Në qytet duhet të paguash për energjinë. Paguan qindra dollarë në muaj për rrymë. Këtu paguan njëqind dollarë për një panel diellor që shkon për dy vjet, dhe disa bateri që zgjatin dy vjet, dhe ke energji. Paguan vetëm për gaz që shkon për një kohë të gjatë ".

Gazi për gjeneratorin kushton rreth 200 dollarë në muaj, bombula për një sobë të vogël - 40 dollarë dhe ujë i pijshëm nga një qytet i vogël fqinj - rreth 15 dollarë në vit. Si një bonus shtesë, shumica e banorëve të qytetit përfitojnë asistencë nga shteti - rreth 150 - 200 dollarë në muaj, të mjaftueshme për të blerë ushqim.

Për ata që zgjedhin të jetojnë këtu, mungesa e komoditetit nuk është problem. Disa thonë se janë të lodhur nga bota e jashtme.

"Vjen këtu dhe i ke të gjitha. Ke vend ku të rrish. Nuk ke nevojë për asgjë. Në se je i uritur – të japin për të ngrënë. Nuk ke nevojë për para”, thotë Rodney Wild, banor i qytetit.

Por pavarësisht të mirave, Slab City ka telashet e tij. Duke patur një juridiksion të pjesshëm shtetëror, probleme si droga dhe alkooli janë një realitet i zymtë. Për banorët, i vetmi ligj që ka rëndësi, është respekti për hapësirën personale të njëri-tjetrit. Çdo gjë tjetër është sipas dëshirës./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat