Ashpërsohet retorika politike në SHBA

Amerika

Ashpërsohet retorika politike në SHBA

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 20:29
SHBA

Përçarjet politke në Shtetet e Bashkuara po thellohen, ashtu si edhe debati për retorikën politike dhe cila pjesë e saj është e pranueshme ose jo. Amerikanët e vlerësojnë të drejtën e garantuar me kushtetutë për të shprehur mendimet e tyre, por a ka kufij për këtë të drejtë?

Imagjino sikur të punosh për zyrën më të rëndësishme në vend dhe në fund të një dite të lodhshme dhe me stres, shkon në një restorant për të ngrënë. Ndërsa përpiqesh të çlodhesh me një gotë verë…diçka ndodh.

Protestat në Uashington nuk janë gjë e re, por nuk ndodh shpesh që të vihen në shënjestër anëtarë të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, siç ndodhi me Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen dhe këshilltarin për imigracionin në Shtëpinë e Bardhë, Stephen Miller.

Aktivistët i vunë ata në shënjestët ndërsa dilnin nga restorante meksikane, në shenjë proteste ndaj politikës së tolerancës zero në kufi veçanërisht ndaj ndarjes së fëmijëve imigrantë nga prindërit e tyre.

Ndërkohë, pronarja e një restoranti në Virginia, e përzuri Sekretaren e Shtypit, Sarah Sanders, pasi punonjësit e restorantit ishin kundër politkave të administratës ndaj personave transgjinorë.

“M’u kërkua që të largohesha, sepse punoj për presidentin Trump. Ne mund të kemi mendime të ndryshme, por duhet të kemi mundësinë t’i shprehim ato lirisht dhe pa frikën se mund të sulmohemi”.

Ndërsa thellohen ndasitë, shumë vëzhgues kanë vënë re se retorika publike po ashpërsohet gjithnjë e më shumë.

Historiani presidencial dhe kritik i presidentit Trump, Alan Lichtman, fajëson presidentin.

"Etiketa politike nuk ekziston më. Zoti Trump në thelb bëri fushatë me një platformë të shkatërrimit të etiketës politike. Dhe ka vazhduar ta bëjë gjatë gjithë kohës në detyrë. Ai ka sulmuar, sharë, tallur kundërshtarët e tij politikë."

Anketat tregojnë se ndasitë politike janë thelluar. Demokratët janë të bashkuar në kundërshtimin e presidentit, por jo të gjithë janë në një mendje se si duhet shprehur ky kundërshtim.

"Nëse shihni një anëtar të Kabinetit në një restorant, në dyqan, në një qendër karburanti, mblidhuni dhe krijoni një turmë. Dhe thuajuni se nuk janë më të mirëpritur askund.”

"Askush nuk duhet të bëjë thirrje për të ngacmuar kundërshtarët politikë. Nuk është e drejtë. Nuk është amerikane.”

Sido që të vendosësh ta shprehësh veten politikisht, është e rëndësishme që të mos largohesh nga mesazhi, thotë Michael Cornfield që studion retorikën politike, në Universitetin “George Washington”.

"Varet se si e shpreh indinjatën, jo fakti që e shpreh. Nëse do që të protestosh, nëse do që ta kthesh një hapësirë publike në një vend për mosbindje civile apo demonstrim, duhet të sigurohesh që vëmendja të jetë tek ajo që thua ose që bën, jo tek mënyra e sjelljes”.

Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane mbron të gjitha llojet e shprehjes, edhe atë fyese. Por nuk ka garanci se i shprehuri ofensiv është bindës, një pikë ku po përqendrohen të dyja anët e politikës në Shtetet e Bashkuara./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat