Trump: Amerika nuk do të jetë një kamp emigrantësh

Amerika

Trump: Amerika nuk do të jetë një kamp emigrantësh

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 00:44
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump tha të hënën se nuk do të lejonte që Shtetet e Bashkuara të bëheshin një “kamp emigrantësh”, pasi administrata e tij u përball me një kritikë të ashpër për ndarjen e fëmijëve të emigrantëve nga prindërit e tyre, në kufirin me Meksikën.

Demokratët dhe disa në Partinë Republikane të Trump, kanë paralajmëruar administratën për ndarjen e rreth 2.000 fëmijëve nga prindërit e tyre në vetëm dy muajt e fundit. Profesionistët mjekësorë kanë thënë se praktika e ndjekur nga administrata Trump, mund të shkaktojë trauma të qëndrueshme për fëmijët.

Ndarjet e familjes janë rezultat i politikës së “tolerancës zero” të Trump, që arreston të gjithë të rriturit që janë kapur duke u përpjekur të hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ata që kërkojnë azil.

Ndërsa prindërit mbahen në burg, fëmijët e tyre dërgohen në mjedise të veçanta të paraburgimit, ku trajtohen si minorenë të pashoqëruar. Videoja e shpërndarë nga qeveria tregoi fëmijët e emigrantëve të mbajtur në kafaze teli, të ulur në dysheme prej betoni.Trump, qëndrimi i të cilit në lidhje me imigracionin është një politikë e rëndësishme e presidencës së tij, u përgjigj ashpër ndaj kritikëve të hënën.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë një kamp emigrantësh dhe nuk do të jetë një strukturë e mbajtjes së refugjatëve. Ju shikoni se çfarë po ndodh në Evropë, ju shikoni se çfarë po ndodh në vende të tjera. Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë në Shtetet e Bashkuara, jo në kohën time të paktën”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Trump ka kërkuar të përdorë zemërimin e përhapur mbi ndarjet e familjeve për të nxitur përparësitë e tjera të imigracionit që kanë ngelur në Kongres, si financimi për murin e gjatë të premtuar përgjatë kufirit meksikan.

Ai i ka fajësuar demokratët për bllokimin, edhe pse republikanët e tij kontrollojnë të dy dhomat në Kongres. Demokratët kanë akuzuar presidentin për përdorimin e fëmijëve si pengje në mosmarrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat