Si shënohet Ramazani në Shtetet e Bashkuara - Bota Sot
Si shënohet Ramazani në Shtetet e Bashkuara

Amerika

E enjte, 16 gusht 2018

Si shënohet Ramazani në Shtetet e Bashkuara

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 18:49
SHBA

Thuajse sikurse pjesa e tjetër e myslimanëve të botës, myslimanët në Amerikë janë tani në muajin e shenjtë të Ramazani – ata luten, agjërojnë, bëjnë vepra bamirësie dhe ulen për ngrënë vetëm në perëndim të Diellit. Por si njoftojnë shërbimet urdu, kurde dhe turke të Zërit të Amerikës, që janë autorë të kësaj kronike, myslimanët mblidhen së bashku për t’u gëzuar në muajin e shenjtë me mënyra të ndryshme:

Në Harrisonburg të Virxhinias jetojnë rreth 300 familje kurde. Sikurse familjarët dhe miqtë e tyre me mijëra milje larg, në Kurdistan, familja e Pshder Mirawdalit mblidhet çdo natë për Iftar, siç quhet riti kur ata ulen për të ngrënë pas një dite të gjatë. Ata ulen përdhe dhe hanë së bashku ushqimin e sapogatuar.

“Të gjithë ne këtu kemi një lidhje shumë të mirë. Kemi edhe një xhami. Atje ka arabë, persianë dhe afganë. Ne e prishim agjërimin së bashku, në mbrëmje. Shumë herë hamë së bashku edhe me fqinjët. E bëjmë këtë, në mënyrë që fëmijët tanë të mësojnë më tepër për kulturën e tyre dhe për rëndësinë e Ramazanit.”- thotë një banor i Harrisonburgut.

Matanë Lumit Potomak është shteti i Merilendit, që ka gjithashtu një numër të madh banorësh të besimit mysliman. Në qytetin Lanham, Iftari organizohet çdo ditë gjatë muajit të Ramazanit, tek një qendër komuniteti turke. Qendra Diyanet e Amerikës ofron një darkë Iftari për të gjithë myslimanët, qofshon ata që agjërojnë, apo jo. Qindra vetë shkojnë atje çdo mbrëmje për Iftar.

Qeveria lokale e Distriktit të Montgomerit organizon një Iftar special për banorët myslimanë. Atje shkojnë zakonisht edhe zyrtarë lokalë. Një prej tyre ishte ligjvënësi John Sarbanes:

“Është privilegj dhe nder për mua që ftohem nga komuniteti mysliman gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, për të ngrënë darkë së bashku,”- thotë ai.

Qoftë me familjarët dhe miqtë e ngushtë në shtëpi, apo në Iftare publike të organizuara nga xhamitë, apo komuniteti lokal, myslimanët në Shtetet e Bashkuara gëzojnë shumë mundësira për ritin e prishjes së agjërimit dhe për t’i qëndruar besnikë mësimeve të Islamit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test