Presidenti Trump e quan të pasinqertë kryeministrin kanadez - Bota Sot
Presidenti Trump e quan të pasinqertë kryeministrin kanadez

Amerika

E hënë, 18 qershor 2018

Presidenti Trump e quan të pasinqertë kryeministrin kanadez

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 20:07
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se ka dhënë udhëzime që zyrtarët amerikanë të mos e nënshkruajnë deklaratën e përbashkët të shtatë udhëheqësve që morën pjesë në takimin dyditor të G7-ës në Kanada. Ai përmendi deklaratat e bëra pas largimit të tij, nga Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau.

“Shumë i pasinqertë dhe i dobët”, shkruajti Presidenti Trump në Twitter, si reagim ndaj deklaratës së zotit Trudeau se tarifat e reja amerikane për aluminin dhe çelikun janë “ofenduese”.

Pas vendimit të Presidentit Trump, këshilltarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë sulmuan sot Kryeministrin kanadez duke thënë se ai i dha "një thikë pas shpine" Presidentit amerikan pas largimit nga samiti i G7-ës për të udhëtuar drejt Singaporit.

Larry Kudlow, këshilltari ekonomik i Presidentit Trump, fajësoi udhëheqësin kanadez që deklaroi gjatë konferencës për shtyp se tarifat e reja amerikane për aluminin dhe çelikun janë "ofenduese", duke e detyruar kështu Presidentin Trump të udhëzonte zyrtarët amerikanë të ndëshkonin aleatët dhe të mos nënshkruanin deklaratën e përbashkët të takimit.

Presidenti Trump shpjegoi në Twitter se “bazuar në deklaratat false të Justinit gjatë konferencës së tij për shtyp, dhe për faktin se Kanadaja ka imponuar tarifa të mëdha ndaj produkteve të fermerëve, punëtorëve dhe kompanive amerikane, unë kam udhëzuar përfaqësuesit amerikanë të mos e mbështesin deklaratën e përbashkët, ndërkohë që do të shqyrtojmë edhe tarifat ndaj automobilëve që kanë vërshuar drejt tregut amerikan”.

Si reagim ndaj vendimit të Presidentit Trump për t’u tërhequr nga deklarata e përbashkët, zyra e Presidentit francez Emmanuel Macron u shpreh nëpërmjet një deklarate se “bashkëpunimi ndërkombëtar nuk mund të ndikohet nga shpërthime inati dhe batuta” dhe se veprimi i Presidentit Trump është tregues “inkoherence dhe mungese të konsistencës”.

Në një deklaratë të zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, thuhet se “Gjermania i qëndron deklaratës së përbashkët për të cilën ishte rënë dakort paraprakisht”.

Kryeministri Trudeau e mbylli dje takimin e G7-ës në Kanada duke mos ndryshuar pikëpamjet e tij kundër Presidentit Donald Trump, në veçanti për sa i përket tarifave të reja për çelikun dhe aluminin, për të cilat janë irrituar Kanadaja dhe Bashkimi Evropian. Në fjalimin e tij përmbyllës, zoti Trudeau u shpreh se Kanadaja do të vazhdojë me planin e vendosjes së tarifave ndaj mallrave amerikane, madje që nga data 1 korrik.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test