Trump thotë se mund ta falë veten

Amerika

Trump thotë se mund ta falë veten

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 17:56
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ai e ka "të drejtën absolute" për të falur veten në hetimet për bashkëpunim të mundshëm të fshehtë midis fushatës së tij presidenciale më 2016 dhe Rusisë.

"Siç është thënë nga studiues të shumtë ligjorë, unë e kam të drejtën absolute për të falur veten, por pse do ta bëja një gjë të tillë kur nuk kam bërë asgjë të keqe?", shkroi Trump në Twitter.

Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, është duke hetuar qysh në maj të vitit të kaluar nëse Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, nëse ka pasur kontakte midis zyrtarëve rusë dhe fushatës së Trumpit dhe nëse Trump ka penguar drejtësinë.

Trump po ashtu tha se emërimi i Muellerit ka qenë shkelje e Kushtetutës.

"Emërimi i këshilltarit të posaçëm është krejtësisht jokushtetues. Pavarësisht kësaj, ne e luajmë lojën, sepse, ndryshe nga demokratët, ne nuk kemi bërë asgjë të keqe", tha Trump.

Deklaratat e presidentit vijnë pasi njëri prej avokatëve të tij, Rudy Giuliani, ka thënë të dielën se presidenti "ndoshta" ka fuqi ta falë veten.

Por, Giuliani ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të kishte pasoja "të vështira" politike.

Trump e ka mohuar vazhdimisht bashkëpunimin me Rusinë, ndërsa kjo e fundit ka mohuar çdo ndërhyrje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat