Muzeu Kombëtar i Stomatologjisë në Baltimorë - Bota Sot
Muzeu Kombëtar i Stomatologjisë në Baltimorë

Amerika

E mërkurë, 20 qershor 2018

Muzeu Kombëtar i Stomatologjisë në Baltimorë

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 06:18
ilustrim

Një fakt interesant, por jo shumë i njohur i historisë amerikane: fjalimi i George Washingtonit me rastin e inaugurimit për një mandat të dytë presidencial përmbante vetëm 135 fjalë. Jo sepse presidenti i parë amerikan nuk kishte çfarë të thoshte. Siç na shpjegojnë historianët e stomatologjisë, ai sapo kishte vënë proteza të reja dhe e kishte të vështirë të fliste. Korrespondenti Maxim Moskalov shkoi në Muzeun Kombëtar të Stomatologjisë në Baltimorë për të na njohur me historikun e kësaj dege të mjekësisë:

Muzeu në Baltimorë ka mbi 40 mijë artifakte lidhur me stomatologjinë. Ky është një ndër koleksionet më të mëdhenj në botë për këtë fushë. Nga veglat që duken si mjete torture, tek protezat e hershme të prodhuara me dhëmbë kafshësh, në këtë muze gjen gjithçka.

"Disa nga furçat e vjetra që kemi në koleksion janë prej kocke. Këto janë bërë nga kocka e viçit me qime të derrit të egër,” tregon punonjësi i muzeut, Patrick Cutter.

Përveç furçave të hershme, muzeu ka edhe disa objekte vërtetë unike. Për shembull dentisti i Mbretëreshës Viktoria përdorte vegla ari, të zbukuruara me perla. Dhe nëse bazohemi tek fotografitë e mbretëreshës, ai pat bërë vërtetë një punë të mirë.

Jo të gjithë donin dhëmbë të bardhë si rruazë. Në Mesjetë, aristokratët japonezë i nxinin dhëmbët me një pastë speciale. Në disa fise afrikane ishte në modë të hiqje dhëmbët e mesit. Fiset autoktone të Australisë mprehnin dhëmbët ndërsa majat e lashtë hapnin vrima për të vënë gurë të çmuar.

Shumë amerikanë e dinë se George Washingtoni vuajti gjithë jetën nga problemet me dhëmbët dhe se kur u bë president mbante proteza prej druri. Por ndryshe nga bindja e përgjithshme, dhëmbët artificialë nuk ishin prej druri.

Në të vërtetë, kur Washingtoni u bë president, kishte hequr të gjithë dhëmbët dhe mbante proteza të bëra me dhëmbë njeriu dhe kali. Por me këto proteza në gojë, ai e kishte të vështirë të hante apo të fliste, gjë që u bë shkak edhe për fjalimin e shkurtër me 135 fjalë. Dentisti i Washingtonit ishte John Greenwood, një ushtarak njujorkez, që merrej edhe me stomatologji.

"Këtu shohim një version të hershëm të klinikës dentare. Por në atë kohë dentistët përgjithësisht udhëtonin nga një vend në tjetrin, mbërrinin në qytete ku hiqnin dhëmbë, apo bënin kontrolle në sheshet publike,” tregon zoti Cutter.

Stomatologjia vazhdoi të ndiqte praktika shumë të dhimbshme deri në zbulimin e anestezisë në fund të shekullit të 19-të. Deri atëherë shkulja e dhëmbëve me mjete që duket se janë krijuar për të vuajtje dhe dhimbje e linte pacientin në agoni për orë të tëra. Sot këto vegla mund të na duken si relike të së kaluarës, por mund të dëshmojnë përse edhe në ditët tona vizita tek dentisti na shkakton kaq ankth dhe frikë./VOA

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test