Venezuela liron çiftin amerikan, SHBA: Sanksionet mbeten deri në rikthimin e demokracisë

Amerika

Venezuela liron çiftin amerikan, SHBA: Sanksionet mbeten deri në rikthimin e demokracisë

Më: 27 maj 2018 Në ora: 11:15
Donald Trump dhe Joshua Holt

Pas suksesit të arritur për lirimin e 3 amerikanëve nga Koreja e Veriut, administrata e presidentit Trump shënon një tjetër të tillë, me lirimin e një amerikani dhe bashkëshortes së tij venezueliane, nga regjimi i Maduros. Por, nëse me kreun e vendit të parë komunist po tenton të ulet edhe në bisedime, me këtë të dytin gjasat për pajtim duken të pamundura.

Joshua Holt dhe bashkëshortja e tij Thamy mbërritën në Shtetet e Bashkuara të shoqëruar nga senatori Bob Corker, i cili ndihmoi në negociatat për lirimin e tyre. Por, pavarësisht këtij veprimi, zëvendëspresidenti Mike Pence ka deklaruar se sanksionet ndaj Venezuelës do të qëndrojë.

Holt u takua më pas me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Holt dhe bashkëshortja e tij ishin burgosur në Venezuelë prej dy vitesh, me akuzën e fshehjes së armëve.

“Jam tejet i lumtur që Josh Holt është kthyer në shtëpi me familjen e tij, aty ku i takonte si gjithmonë”, tha Pence përmes një statusi në “Twitter”. “Por sanksionet do të vijojnë derisa demokracia të rikthehet në Venezuelë”.

Dyshja ishte prangosur në vitin 2016 në shtëpinë e familjes së saj, në Karakas, teksa prisnin për të marrë vizat amerikane. Ata u akuzuan për fshehje armësh dhe u burgosën për dy vite.

Corker zhvilloi bisedime gjatë së premtes me presidentin venezuelian, Nicolas Maduro. Senatori amerikan shpërndau edhe një foto të tijën me çiftin në fjalë pas lirimit të tyre, duke shtuar komentin se “po kthehemi në shtëpinë tonë”.

Një zëdhënës i Maduros tha se lirimi i çiftit ishte një gjest që kërkon të tregojë përpjekjet për të përmirësuar dialogun mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara. Maduro u zgjodh për një mandat të ri 6-vjeçar javën e kaluar, por Uashingtoni ka refuzuar të njohë rezultatin zgjedhor, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga opozita dhe pati akuza për manipulim votash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat