Trump ashpërson retorikën kundër bandës “MS-13”

Amerika

Trump ashpërson retorikën kundër bandës “MS-13”

Më: 24 maj 2018 Në ora: 16:50
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar që të bëjë ndryshime “radikale” ndaj praktikave për ndihmat duke pezulluar ndihmat qeveritare ndaj vendeve që lejojnë futjen e individëve me të kaluar kriminale në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump foli gjatë një takimi në Nju Jork, një shtet që po lufton bandat kriminale. Zyrtarët e Nju Jorkut e njohën presidentin me përparimet e bëra në shpërbërjen e bandës së dhunshme “Mara Salvatrucha” që njihet edhe si “MS-13”.

Grupi “MS-13” filloi në vitet 80-të në Los Angeles nga emigrantët nga El Salvadori. Banda është zgjeruar me përfshirjen e hondurasve, guatemalasve, meksikanëve dhe shtetasve nga vende të tjera të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Motoja e bandës është “vrit, përdhuno dhe kontrollo”.

“I kam quajtur kafshë dhe më qortuan. Ata thanë se janë njerëz. Ata nuk janë njerëz, janë kafshë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti e ka bërë ndër prioritetet kryesore eliminimin e bandës “MS-13”. Ai vlerësoi Agjencinë e Imigracionit për burgosjen dhe dëbimin e mijëra pjestarëve të bandës. Një zyrtar i lartë i agjencisës tha se 4,800 pjestarë të bandës, përfshi qindra udhëheqës dhe bashkëpunëtorë të “MS-13”, u arrestuan një vit më parë në të gjithë vendin. Thomas Homan është drejtor në detyrë i Agjencisë për Imigrancionin dhe Doganat.

“Duam ta shtrijmë goditjen drejt jugut, Po godasim MS-13 atje ku është komanda dhe kontolli në El Salvador. Zyrat tona në Amerikën Qendrore po punojnë ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë në El Salvador. Kemi arrestuar dhe larguar qindra pjestarë të MS-13 nga rrugët e El Salvadorit.”

Presidenti Trump tha se vendet që lejojnë kriminelët e tyre të futen në Shtetet e Bashkuara do të penalizohen.

“Do të ndërtojmë një sistem ku sa herë dikush vjen nga një vend i caktuar, atij vendi do t’i shkurtojmë një sasi të madhe parash nga ndihmat që ne japim, nëse u japim ndonjë ndihmë. Pavarësisht raporteve që dëgjoj, mendoj se këto vende nuk po na ndihmojnë.”

Kritkët thonë se presidenti po përdor frikën nga bandat për të avancuar axhendën e tij kundër imigrancionit. Angel Reyes është aktivist për imigracionin.

“Presidenti do të përdorë çdo justifikim të mundshëm për të avancuar axhendën e tij kundër imigracionit, ksenofobinë, racizmin dhe për këtë arsye po ngremë zërin që ta kuptojë se nuk është i mirpëritur në këtë komunitet.”

Grupe veprimtarësh lokalë dhe familje u mblodhën jashtë vendit ku mbahej takimi me Presidentin Trump për të protestuar kundër bastisjeve të kohëve të fundit ndaj imigrantëve pa dokumente në Nju Jork./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat