Trump dhe diplomacia me gjuhën e gjesteve

Amerika

Trump dhe diplomacia me gjuhën e gjesteve

Më: 26 prill 2018 Në ora: 16:20
Macron dhe Trump

Presidenti Trump sapo priti udhëheqësin francez, Manuel Macron në Shtëpinë e Bardhë dhe po përgatitet për vizitën e Kancelares Angela Merkel. Psikologët që analizojnë gjestet dhe mimikën kanë theksuar kontrastin mes përqafimit të ngrohtë me Presidentin Manuel Macron dhe shkëmbimeve të ftohta që ka pasur në të kaluarën me Kancelaren Merkel. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine shtjellon se çfarë domethënieje mund të kenë për diplomacinë amerikane marrëdhëniet e ngrohta me Macronin dhe ftohtësia në relatat me zonjën Merkel:

Vëzhgues politikë në mbarë botën e ndoqën takimin mes presidentëve Trump dhe Macron me interesin për të dalluar marrëdhëniet e ngrohta miqësore që thuhet se ekzistojnë mes tyre. Ata nuk mbetën të zhgënjyer.

Por një moment spikati në veçanti:

“Kemi një marrëdhënie shumë të veçantë. Në fakt, prit të ta pastroj pak zbokthin nga xhaketa. Duhet ta bëjmë perfekt. Tani po, është perfekt!”

Eksperti i interpretimit të gjesteve Christopher Ulrich thotë se këto shkëmbime janë domethënëse:

“Është një marrëdhënie që diktohet edhe nga një balancë autoriteti. Të dy përpiqen të dominojnë njëri-tjetrin. Shihet në shtrëngimin e duarve që zgjat 18 sekonda dhe që ka ndodhur edhe më parë”.

Historiani Matt Dallek thotë se si zoti Trump, ashtu edhe zoti Macron përfitojnë disi nga kjo marrëdhënie:

“E dimë se për Presidentin Trump shërben për t’i fuqizuar figurën si udhëheqës, i jep vetëdijen se mund të qëndrojë në skenën globale përkrah këtij udhëheqësi të ri, simpatik të Francës”.

Mjafton ta krahasojmë këtë vizitë tri-ditëshe me marrëdhëniet e presidentit me Kancelaren Merkel, e cila do të qëndrojë në Uashington vetëm një ditë, për takim me presidentin.

Shkëmbimet e rezervuara mes dy udhëheqësve gjatë vizitës së saj në mars të vitit të kaluar, shkaktuan habi tek shumë veta:

“Zonja Merkel i kthehet dhe e pyet: “Donald, do të shtrosh duart?” Ai nuk duket se e ka dëgjuar. Duket shumë i përqëndruar në atë moment. Nuk e dimë nëse ishte një akt i qëllimtë, por është interpretuar se ai i ktheu shpinën,” thotë eksperti Ulrich.

Historiani Dallek thotë se kjo mund t’u atribuohet dallimeve të thella ideologjike mes tyre:

“Ajo mishëron ide si toleranca për refugjatët, idenë e kufijve më të hapur, tregtisë së lirë, Bashkimin Evropian, rëndësinë e NATO-s, aleancën transatlantike. Të gjitha këto janë ideale që Merkel i mbron dhe i mishëron”.

Ekspertët thonë se nuk është e qartë nëse Macroni apo Merkeli, me stilet e tyre të ndryshme të komunikimit do të arrijnë ta bindin Presidentin Trump të ndërrojë mendje mbi tema të rëndësishme si tregtia, ndryshimet klimatike, apo marrëveshja me Iranin./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat