Presidenti Trump nderon armenët në Ditën e Kujtesës

Amerika

Presidenti Trump nderon armenët në Ditën e Kujtesës

Më: 25 prill 2018 Në ora: 16:53
Donald Trump

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit armen në Ditën Armene të Kujtesës me rastin e 103 vjetorit të masakrës së armenëve nga turqit osmanë.

"Duke nderuar kujtimin e atyre që vuajtën, ne gjithashtu reflektojmë mbi angazhimin tonë për të garantuar që këto abuzime nuk do të përsëriten më,” tha zoti Trump përmes një deklarate të Shtëpisë së Bardhë. “Ne theksojmë rëndësinë për të njohur dhe për t’u ballafaquar me elementët e dhimbshëm të së kaluarës si një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më tolerante”.

Zoti Trump shtoi se respekton thellësisht “ngadhnjimin” e popullit armen, të cilët, thotë presidenti, kanë ndërtuar jetë të reja në Shtetet e Bashkuara dhe kanë dhënë kontribute të panumërta në këtë vend.

Në përfundim të masakrës dhe deportimeve nga Parandoria Osmane, mbi 1,5 milionë armenë kishin vdekur.

Ashtu si pararendësit e tij, Presidenti Trump nuk përdori termin “gjenocid” për masakrën e armenëve. Historianët e përdorin këtë term rregullisht, por Turqia, një aleate e Shteteve të Bashkuara në NATO, mohon se ka pasur një politikë të qëllimtë për spastrimin etnik të armenëve. Ankaraja thotë se vdekjet në masë të armenëve ishin rezultat i konflikteve të Luftës së Parë Botërore, përfshirë pushtimit rus.

Turqia po ashtu këmbëngul se numri i të vdekurve ishte shumë më i vogël se shifra prej 1,5 milion vetësh që përllogarisin historianët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat