E ardhmja e Komonuelthit pas daljes së Britanisë nga BE

Amerika

E ardhmja e Komonuelthit pas daljes së Britanisë nga BE

Më: 21 prill 2018 Në ora: 23:04
ilustrim

Udhëheqësit e vendeve të Komonuelthit nga e gjithë bota u mblodhën në Londër këtë javë për Takimin e Kryetarëve të Qeverive të Komonuelthit. Organizata u themelua pas shpërbërjes së Perandorisë Britanike në shekullin e kaluar dhe kritikët thonë se nuk ka arritur të lërë pas trashëgiminë e saj koloniale. Por, siç njofton nga Londra korresponenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, është rikthyer në Londër fokusi mbi Komonuelthin, sepse Britania është në kërkim të partneriteteve të reja globale pasi vitin e ardhshëm do të dalë nga Bashkimi Evropian.

Prapa festimeve dhe pompozitetit mbi këtë takim fshihen peytje më serioze mbi të ardhmen e Komonuelthit. Pse ekziston? Çfarë roli duhet të luajë ish-fuqia imperialiste britanike? Në fjalimin e hapjes së takimit, Mbretëresha Elizabeta, udhëheqësja e Komonuelthit, e bëri të qartë dëshirën që drejtimi i organizatës të mbetet në familjen mbretërore.

"Unë do të vendos që një ditë Princi i Uellsit të vazhdojë punën e rëndësishme të filluar nga babai im në vitin 1949", tha ajo.

Kritikët argumentojnë se Komonuelthi duhet të shkëpusë lidhjet me familjen mbretërore.

"Problemi në dekadat e fundit, në fakt që nga vitet 1990, është tek humbja e rëndësisë së tij, Komonuelthi ka humbur edhe rolin e tij të madh unifikues. E vetmja gjë që i ka dhënë rëndësi Komonuelthit ka qenë Familja Mbretërore", thotë profesor Philip Murphy nga Instituti i Studimeve të Komonuelthit.

Komonuelthi tërhoqi vëmendjen këtë javë, por jo për arsyen që do të donte qeveria britanike. Kryeministrja Theresa May u kërkoi falje drejtuesve të shteteve anëtare nga rajoni i Karaibeve, pasi u mësua se emigrantëve të cilët arritën në Britani në vitet 1950 dhe 60, nga kolonitë e atëhershme nuk iu miratuan kërkesat për banim të përhershëm në Britani dhe u kërcënuan me dëbim.

"Ne sinqerisht kërkojmë falje për ankthin që është shkaktuar".

Kryeministrja May më vonë kërkoi falje për rolin që Britania kishte luajtur për t’i trajtuar si vepra penale martesat e homoseksualëve në ish-kolonitë e saj.

"Unë jam e vetëdijshme se këto ligje shpesh janë miratuar dhe zbatuar nga vendi im. Ato ligje ishin të gabuara atëherë, dhe janë të gabuara tani."

Aktivistët thonë se miliona homoseksualë dhe transeksualë jetojnë me frikë nga arrestimi në të gjithë Komonuelthin.

"Tridhjetë e gjashtë shtete anëtare ende kanë ligje që i trajtojnë si vepra penale marrëdhëniet mes personave të së njejtës gjini. Nëntë persona po vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm. Dhe në disa zona të Nigerisë dhe Pakistanit, homoseksualët mund të ndëshkohen me vdekje. Qartësisht, retorika e Komonuelthit nuk është në përputhje me praktikën e qeverive", thotë aktivisti Peter Tatchel.

Pavarësisht tensioneve, Takimi i Komonuelthit ka shënuar përparim, miliarda dollarë janë premtuar për luftën kundër malaries, për trajtimin e problemit të mbeturinave plastike dhe për mbrojtjen e pyjeve.

Organizata gjithashtu ofron një platformë globale për tërheqjen e investimeve.

"Ne jemi duke bërë fushatë për të tërhequr investime në Afrikën e Jugut nga gjithë bota, nga Afrika, Azia, Evropa, Amerika Veriore dhe Amerika Jugore", thotë Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Disa ligjvënës britanikë duan të ringjallin Komonuelthin si një bllok të tregtisë së lirë, pasi Britania të largohet nga Bashkimi Evropian. Të tjerët thonë se një retorikë e tillë thjesht përforcon imazhin e Komonuelthit si një gjurmë e fundit e Perandorisë Britanike./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat