Trump: Stormy Daniels po qarkullon “një trillim”

Amerika

Trump: Stormy Daniels po qarkullon “një trillim”

Më: 18 prill 2018 Në ora: 18:00
Stormy Daniels

Presidenti i SHBA, Donald Trump sulmoi sot besueshmërinë e aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels.

Zonja Daniels po qarkullon një skicë të një personi që ajo thotë se e kërcënoi, duke i kërkuar që të mos fliste për marrëdhënien e dyshuar seksuale me zotin Trump.

Në një koment në Twitter, Presidenti Trump e quajti skicën “një trillim” për një njeri që nuk ekziston.

Avokati i zonjës Daniels, Michael Avenatti, ka ofruar një shpërblim prej 131,000 dollarësh për informacione që mund të çonin në identifikimin e personit.

Sipas zonjës Daniels, personi në skicë i ishte afruar në një parkim të Las Vegasit dhe e kishte kërcënuar. Ajo thotë se në vitin 2006 kishte patur një takim intim me zotin Trump.

Avokati i Presidentit Trump, Michael Cohen, i pagoi zonjës Daniels 130 mijë dollarë për të mos folur, nga frika se kjo çështje mund të dëmtonte shanset e zotit Trump për të fituar zgjedhjet e vitit 2016.

Disa ekspertë ligjorë thonë se pagesa mund të interpretohet si një kontribut i paligjshëm i fushatës së zotit Trump.

Presidenti Trump mohon të ketë patur dijeni për mpagesën. Ai gjithashtu ka mohuar se ka patur marrëdhënie me zonjën Daniels./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat