Ekspertët hetojnë thyerjen e helikës në avionin e kompanisë Southwest

Amerika

Ekspertët hetojnë thyerjen e helikës në avionin e kompanisë Southwest

Më: 18 prill 2018 Në ora: 17:58
Një pasagjere grua humbi jetën pasi një avion udhëtarësh, për shkak të një difekti në motor u detyrua të bënte ulje emergjente.

Autoritetet federale të transportit thonë se një pasagjere grua humbi jetën ndërsa disa të tjerë pësuan lëndime pasi një avion udhëtarësh, për shkak të një difekti në motorë u detyrua të bënte ulje emergjente.

Pasagjerja që humbi jetën u identifikua si Jennifer Riordan nga shteti Nju Meksiko. Drejtuesja e lartë në bankën “Wells Fargo” dhe nënë e dy fëmijëve është pasagjerja e parë që humb jetën në një aksident të linjave ajrore amerikane që nga viti 2009.

Dëshmitarët thanë se Riordan ishte tërhequr nga presioni i ajrit pothuajse tërësisht përmes një dritare së thyer të avionit të kompanisë “Southwest” që udhëtonte nga Nju Jorku drejt Teksasit, por bëri ulje të detyruar në Filadelfia.

Robert Sumwalt, Kryetar i Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit, thotë se një fletë e thyer e helikës së motorit kishte tërhequr vëmendjen e hetuesve.

“Fleta e helikës ishte thyer në qendër. Shqyrtimi poraprak tregon për një dobësi të boshtit metalik ku bashkohen fletët e helikave. Kemi dërguar në laborator në Uashington foto të objektit. Këto janë gjetjet paraprake.”

Pasagjerja Amanda Bourman tregon momentet e tmerrit pas shpërthimit të motorit.

“Aeroplani kishte filluar të lëkundej ndërsa piloti përpiqej të ruante kontrollin dhe maskat e oskigjenit kishin dalë nga foletë. Sapo vura maskën, mendja të shkon se ky është fundi, këto janë momentet e fundit.”

Shefi i Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit, Robert Sumwalt, thotë se regjistrimet e zërit nga kabina e pilotit do të transkriptohen sot në Uashington ndërsa fillon faza paraprake e hetimeve. Ai thotë se do të duhen të paktën 14 muaj para se hetimet të përfundojnë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat